Zëvendëskryeministri Erjon Braçe tha sot se në ndryshim nga opozita, mazhoranca merret me punë, ndërsa publikoi transformimin e shkollës së bashkuar në Kolonjë.
“Shkolla e bashkuar në qendër të fshatit Kolonjë në Lushnjë; Transformim rrënjësor nga një ngrehinë në qendër komunitare për fshatin më të madh të njësisë!”, u shpreh Braçe.
“Hapësira te reja, laboratore, sistem ngrohjeje dhe palestër për herë të parë,nyje të reja sanitare për çdo grupmoshë, ndare sipas gjinive, për fëmijë me aftësi ndryshe dhe për mësuesit!”, shprehet ai.
“Këtë i premtuam, veprën bëmë; Ja ku është! Puna vlen veprat bëjnë besimin fjalët i merr era. Llafet i bën Luli”, përfundoi zv.kryeministri Braçe.
Po ashtu, Braçe tha se edhe Shkolla e bashkuar në fshatin Fier Seman të bashkisë Divjakë po projektohet si qendër komunitare.
“Kaq e madhe do jetë! Por përsëri dhe kaq nuk është mjaft. E kemi projektuar si qendër komunitare për Fier Semanin, Gradishtën, Mehallezen, Gungasin, Korijen dhe, po qe se u pëlqen edhe për Spolaten e Babunjen që janë 10-15 minuta larg”, tha ai.
Sipas tij, shkolla e re do i ketë të gjitha, hapësirat e reja, laboratoret, ngrohjen, nyjet e reja sanitare per çdo kategori brenda në shkollë e jo me tek klubi fshatit.
“Banorët e Fier Semanit e ruajtën të paprekur territorin e pamatë të shkollës, posaçërisht terrenet sportive dhe ne do ua kthejme tërësisht të ribëra! Premtim i dhënë, vepër në ndërtim!”, u shpreh ai. /atsh