Loading...

Shengeni Ballkanik / RCC:Domosdoshmëri çdo iniciativë që çon në heqjen e barrierave brenda rajonit tonë

Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC) ishte i ftuar në takimet për mini-shengenin së bashku me Bashkimin Europian (BE), Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), Bankën Botërore (BB), Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bankën Europiane e Investimeve (BEI) për të dëgjuar propozimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor.

“Ditët e fundit ka pasur shumë paqartësi dhe mungesë informacioni të saktë lidhur me rolin e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal në takimet në kuadër të të ashtuquajturit “Mini-Shengen”. RCC-ja ka qenë e ftuar në takimet për mini-shengenin së bashku me BE-në, SHBA-në, Bankën Botërore (BB), BERZH-in dhe BEI-n për të dëgjuar propozimet e liderëve të Ballkanit Perëndimor.”-, njofton RCC.

“RCC-ja është tërësisht e angazhuar ndaj bashkëpunimit rajonal. Me krenari ne po bashkërendojmë dhe mbikëqyrim zbatimin e Planit Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Rajonale Ekonomike në Ballkanin Perëndimor, siç jemi ngarkuar në dakordësi nga udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor tre vjet më parë në samitin e Procesit të Berlinit në Trieste”.

“Të gjashta ekonomitë, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia janë në këtë proces, që u prezantua me kërkesë të të gjashtë udhëheqësve të sipërpërmendur, një projekt që ka për synim të çojë përpara bashkëpunimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor, duke eliminuar pengesat sociale sa i takon lëvizjes së lirë të të rinjve, profesionistëve, aftësive dhe novacionit.

Për RCC-në, bashkëpunimi rajonal është një histori në zhvillim. Bashkëpunimi rajonal merr kuptim në momentin që rezultati përfundimtar është integrimi në BE. Meqë zgjerimi ka të bëjë me lidhjen e tregjeve dhe të njerëzve, ne besojmë që çdo iniciativë që çon në heqjen përfundimtare të barrierave brenda rajonit tonë është një domosdoshmëri dhe si e tillë duhet të merret parasysh. Për këtë arsye, ne jemi të vëmendshëm qoftë edhe ndaj një propozimi të vetëm nga çdo ekonomi e rajonit dhe do të vazhdojmë ta bëjmë edhe të ardhmen”-, përfundon njoftimi i RCC./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com