Ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha sot se shkollat do të fillojnë mësim në 9 qarqe, ndërsa është pezulluar në qarkun e Durrësit deri më datë 9 dhjetor dhe në qarkun Tiranë dhe Lezhë deri më 5 dhjetor.
“Sot Këshilli i Ministrave mori këtë vendim. Në Qarkun Durrës, Krujë dhe Shijak mësimi mbetet i pezulluar deri me 9 dhjetor. Në qarkun Tiranë, që përfshijnë bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë dhe Rrogozhinë, qarkun Lezhë Kurbin dhe Mirditë, mësimi do jetë i pezulluar deri me datë 5 dhjetor, por po ruajmë mundësin që ta shtyjmë edhe për disa ditë të tjera në rast se nuk sigurohemi që të gjitha shkollat janë të sigurta. Njoftimin nëse shtyhet mësimi për Tiranën dhe Lezhën do ta bëjmë me katër dhjetor. Në të gjitha qarqet e tjera nesër me 2 dhjetor fillon normalisht”, tha Shahini.
Po ashtu, Shahini shtoi se “që ditën kur ra tërmeti kemi marrë informacion nga drejtorët e shkollave për dëmet. Më pas janë bërë inspektimet në këto shkolla. Më datë 28-29 , kanë ardhur edhe inxhinierë nga Kosova. Sipas informacioneve nga terreni kemi konstatuar që shumë shkolla kanë dëmtime serioze, por edhe nga ata që mund të rregullohen”.
“Në Durrës e Lezhë kanë dëmtime të thella në 26 shkolla. Në Tiranë ka dëmtime mesatare dhe të lehta janë 23, përveç Prezës që do të zhvendosen nxënësit në një shkollë tjetër. Një pjesë e shkollave në Tiranë janë mbyllur, por jo të gjitha”, tha ajo.
“Mbrëmë kemi bërë zhvendosjen e planeve të nxënësve tek shkollat pritëse. Kemi bërë kalkulimin e kostove dhe jemi në proces të mjeteve të transportimit. Edhe për nxënësit që janë strehuar nëpër hotele, duhet t’i çojmë në shkollat më të afërta”, tha ministrja./atsh