Kryeministri Edi Rama vizitoi sot banorët e akomoduar në Shëngjin, Lezhë, ku ofrohet shërbim shëndetësor 24 orë, konsulta psikologjike gjatë gjithë ditës, përkujdesje e veçantë për fëmijët, mjedis lojrash në tavolinë për të rriturit dhe përgatitje për të garantuar vazhdimin normal të shkollimit për nxënësit.
“Rrëzohemi bashkë ringrihemi bashkë dhe i lutemi së bashku Zotit të na forcojë durimin e mos ta sprovojë më familjen shqiptare me goditje që na këpusin në mes e në shpirt”, tha Rama në një takim me banorët.
Kryeministri shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila e informoi mbi gjithë kujdesin e shërbimit shëndetësor që ofrohet për banorët.
Manastirliu tha se në këtë hotel janë strehuar një numër i madh banorësh nga Thumana. Ajo tha se “kemi aktivizuar hapjen e Qendrës Shëndetësore që përdorim në verë dhe sigurojmë trajtim shëndetësor për të gjithë, kryesisht për të sëmurët kronikë”.
“Kemi krijuar një dosje për të gjithë banorët për të evidentuar statusin e tyre shëndetësor, medikamentet që u nevijiten dhe trajtimin mjekësor që marrin. U kemi dhënë të gjitha medikamentet falas. Për fëmijët është zyra e psikologut që po vazhdon dhe bën këshillime të vazhdueshme”, tha Manastirliu.
Drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj tha se situata është nën kontroll dhe jemi organizuar në të gjitha pikat. Sipas tij, “çdo thirje dhe çdo konsultë regjistrohet dhe jepet një përgjigje. “Kemi rreth 7 mijë thirrje nga momenti i rënies së tërmetit dhe janë mbi 1500 vizita që janë kryer”, tha ai.
Duke iu drejtuar banorëve, Kryeministri Rama tha se “kjo na ra dhe do ta kalojmë bashkë, se nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër”.
“Rrini të qetë sepse ne do t’i bëjmë të gjitha por atje ishit në mes të të ftohtit dhe 50 m nga varri, ndërsa këtu jeni me të gjitha shërbimet. Duhet pak kohë, duhet pak durim”, tha ai.
Ndërkohë, sipas ministres Manastirliu, “fëmijët po asistohen nga psikologë, si dhe nga organizata që merren me fëmijët si World Vision, UNICEF, Save the Children, për të siguruar asistencë psikologjike.
Po ashtu, Manastirliu tha se “po bëhet lista e gjithë nxënësve dhe studentëve për të cilët do të vendosen në dispozicion autobusë dhe fugona kur të fillojë shkolla”.
Kryeministri sugjeroi që për ata fëmijë që nuk kanë mundësi të largohen të krijohen klasa në këto ambiente ku të marrin mësimet. /atsh