Loading...

Reshjet intensive të shiut/ Prefekti Mamaj për ATSH: Situatë normale në Novoselë, po monitorojmë prurjet e Vjosës

Situata në fshatin Novoselë të Vlorës si pasojë e motit të keq të shoqëruar me reshje të dendura shiu në fundjavë është normale, pavarësisht se niveli i lumit Vjosa ka shenja të rritjes.

Kështu deklaroi për ATSH-në, prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, i cili po ndjek nga afër situatën së bashku me zëvendësministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimo Kote dhe kryetarin e njësisë administrative Novoselë, Kanan Shakaj.

“Moti i keq që ka përfshirë vendin tonë ka sjellë probleme edhe në qytetin e Vlorës, ku konkretisht në Novoselë ka shenja të rritjes së nivelit të lumit Vjosë, si pasojë e ujërave të shumtë që vijnë nga Përmeti dhe Gjirokastra”, theksoi Mamaj.

Prefekti Mamaj sqaron se “për momentin nuk ka probleme, por nëse ka rritje të mëtejshme të nivelit të ujit do të ndjekim protokollin për evakuimin e banorëve dhe të bagëtisë, sipas fazave të emergjencës”.

Vendi ynë është përfshirë në fundjavë nga moti i keq i shoqëruar me reshje shiu me intensitet të lartë dhe erëra të forta./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com