Loading...

Reforma Zgjedhore, anulohet mbledhja e Komisionit, Gjiknuri: Në pritje të propozimeve nga ana e opozitës parlamentare

Mbledhja e Komisionit të Reformës Zgjedhore që pritej të zhvillohej sot u anulua për shkak të mungesës së kuorumit.

Në një deklaratë për mediet, bashkëkryetari i këtij Komisioni, Damian Gjiknuri tha se shpreson që kjo gjë të mos çojë në bojkot, teksa shtoi se, është në pritje të propozimeve për ndryshimin e sistemit nga ana e opozitës parlamentare, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur.

“Nuk u bë kuorumi i mbledhjes se disa prej anëtarëve nuk ishin, ndërkohë që bashkë kryetarja e Komisionit nuk ishte në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo ishte e vetmja arsye. Mbledhja nuk u vazhdua sepse nuk kishte kuorum, por puna vijon”, tha Gjiknuri.
“Puna vazhdon. Shumë shpejt do të keni njoftimin për mbledhjen e radhës se ne duam këtë mbledhje ta zhvillojmë përpara se të mbyllim sesionin e Kuvendit”.

I pyetur nëse mungesa e kuorumit tregon nisjen e një ngërçi, Gjiknuri tha se, “shpresoj që të mos jetë ngërç dhe bojkot pasi të gjitha partitë në parlament janë angazhuar për mbështetjen e reformës zgjedhore. Aq më tepër që janë ata që kanë kërkuar që një nga pikat që duhet të trajtohet është çështja e sistemit zgjedhor. Kështu që ne mirëpresim partitë e opozitës parlamentare që të vijnë me një propozim për sistemin zgjedhor, por deri tani kjo gjë nuk ka ndodhur. Ne jemi të hapur për të vazhduar komunikimin”.

“Njëkohësisht komisioni ka një mandat, ka një afat dhe duhet të vazhdojë punën. Besoj se shumë shpejt do të kemi njoftimin për mbledhjen e radhës ku puna do të vazhdojë”, tha Gjiknuri./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com