Kryeministri Edi Rama përcolli sot në ditën e parë të shkollës Aurel Lalën dhe Alesjo Cakonin, 10 dhe 7 vjeç, dy fëmijët që i shpëtuan mrekullisht tërmetit të 26 nëntorit.
Ashtu sikurse u kishte premtuar, Kryeministri Rama bashkë me kryetarin e bashkisë Kamzë, Rakip Suli, i përcolli dy fëmijët me makinën e tij të punës në shkollën “Ahmet Zogu” në Kamëz.
Kryeministri i këshilloi të dy djemtë që të mësojnë në shkollë, ndërsa u tha se “do t’i ndjeki deri në fund të mbarimit të shkollës”. Ai u kërkoi atyre që të marrin vetëm nota të larta, pasi në këtë mënyrë do të arrijnë të bëhen dikush në jetë.
“Po morët 8 me mua e keni keq punën, 6 ose 7 nuk bëhet llaf. Të jeni me 10, unë nuk ju ndahem do t’ju ndjek hap pas hapi deri kur të mbaroni shkollën. Mos kujtoni se jam kaq i butë. Ka shumë. Në dorë e keni vetë”, tha Rama.
Rrugës për në shkollë kryeministri Rama i kërkoi kryetarit të bashkisë së Kamzës, Rakip Sulin, të rregullonte gropat në rrugë.
“Na ka lënë shumë gropa ai. Mbulimi i gropave e do pak kohën e vet. Kur janë shumë gropa”, tha Suli, duke folur për paraardhësin e tij.
Kryeministri i shoqëroi fëmijët deri në klasë, ku i prezantoi dhe me shoqet dhe shokët e shkollës së re.
Të dy fëmijët kanë marrë bursë mujore për të mbuluar shpenzimet e shkollës. Po ashtu ata janë sistemuar në apartamente të reja në bashkinë e Kamzës. /atsh
https://www.facebook.com/edirama.al/videos/445059126440214/?t=0