Inxhinierja e ndërtimit prof. Luljeta Bozo, e njohur nga të gjithë qytetarët këto ditë përmes televizionit me këshillat dhe sigurinë që dha për ndërtimet në vendin tonë në kushtet e pastërmetit, u prit sot në një takim të veçantë nga Kryeministri Edi Rama në zyrën e tij.
Nisur nga profesionalizmi i treguar, edhe pse puna e saj ishte e njohur, Kryeministri Rama i kërkoi prof. Bozos ndihmë për Paketën e Standardeve të Riparimeve.
“Mendoj që do të ishte shumë pozitive nëse ju do të na ofronit ndihmë, për pjesën e një Pakete Standardesh Riparimesh. Ne duam t’i supervizojmë vetë, në ato rastet kur kompanitë do të marrin vetë përsipër të riparojnë dëmet që kanë krijuar. Gjithsesi ne do t’i supervizojmë vetë. Jeni një burim sigurie për njerëzit. Aty ku janë dëmtuar elementët strukturorë nuk do i hyjmë procesit të rikonstruktimit. Ku është prekur struktura do e shembin”, – tha Rama.
Bozo u tregua e gatshme të merrte përsipër këtë detyrë dhe e vuri theksin në dy-tri këshilla të saj, jo vetëm se si mund të kalohet kjo situatë, por edhe për të ardhmen.
“Patjetër! Të thuash që është e pabanueshme, duhet të sqarohet që është përkohësisht. Në këto ekipe që shkojnë angazhoni inxhinierë me përvojë, se ka shumë të tillë. Duhet të jenë patjetër në ekipet e vlerësimit. Duhet një platformë si do organizohet në të ardhmen ndërtimi në vendin tonë. Si mendojmë ne për të ardhmen, si të rregullojmë dhe organizojmë ndërtimin. Kemi pasur disa probleme që janë shkelur, që nga planifikimi kuturu, por ai që siguron jetën e njeriut është inxhinieri”, – tha Bozo.
Nga ana tjetër, duke u ndalur te përgjegjësitë, Kreu i Qeverisë e vuri theksin tek ashpërsimi i ligjit.
“Nga çfarë kam parë nga situata e dëmeve në ndërtime që krijoi tërmeti, janë tri kategori. Një kategori janë godinat e vjetra individuale, shtëpi fshati. Një kategori tjetër janë godinat e viteve ’70, ato të ndërtuara me kontribut vullnetar, të cilat janë dëmtuar goxha. Kategoria që i takon pas viteve ’90, janë ose godina të ndërtuar nga individë dhe plus të rënduara me kate shtesë. Ka edhe godina të ndërtuara nga kompani, që faktikisht këto godina janë shumë të forta. Ajo që kanë bërë këto, dhe janë të pafalshme, është fakti se strukturën e kanë bërë të fortë, se kanë pasur frikë, ndërsa te muret kanë bërë gjëra qesharake, pa respektuar rregullat deri më një, të cilat edhe janë dëmtuar nga tërmeti”, – tha Rama.
Në këto kushte, vijoi Kryeministri, cenimi i lejes së ndërtimit do të dënohet shumë rëndë. Nuk mund të jetë cenimi i lejes së ndërtimit një vepër penale, që e kemi futur ne, dhe nuk është dënuar asnjë njeri deri më sot. E dyta, arkitekti dhe inxhinieri konstruktor, duhet të bëhen personat përgjegjës, që në momentin kur investitori të kërkon shtesë jashtë lejes, ata nuk duhet ta pranojnë. Dhe në momentin kur ti shikon se ai po merr një arkitekt tjetër, ti duhet ta denoncosh. Ndërsa duhet të bëjmë një verifikim të licencave.
Në përfundim të këtij takimi u ra dakord që inxhinierja të mbajë në ditët në vijim një konferencë publike, ku do të shpjegojë me shembuj konkretë, rastet kur një banesë shpallet e banueshme dhe kur duhet shembur.
“Do të bëjmë një konferencë publike, ku mund të jepni disa shembuj që, cila është banesë e banueshme ose jo”, – tha Rama, për të cilën gjeti një dakordësi edhe nga ana e inxhinieres. /atsh