Loading...

Rama nga Londra: Europa e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, në takimet që ka zhvilluar në kuadër të Samitit të NATO-s ka kërkuar organizimin e një konference donatorësh për Shqipërinë.

Në një komunikim me median, pas fjalës në Samitin e Londrës dhe largimit të parakohshëm nga tryeza, për t’u nisur drejt Romës, Rama tha se, ky ka qenë fokusi dhe objektivi kryesor dhe se reagimet e para janë pozitive.

“Natyrisht që për mua ky ishte objektivi kryesor i gjithë këtij Samiti dhe me thënë të drejtën u ndjeva i inkurajuar nga fakti që të gjithë ishin jo vetëm në dijeni, por edhe të interesuar të dinin më shumë. Faktikisht kemi diskutuar me partnerët europianë, kam bërë bisedë të gjatë me Presidentin e Francës, Kancelaren e Gjermanisë, kryeministrin e Holandës, dhe me një sërë liderësh të tjerë. Kryeministrja e Danimarkës ka qenë jashtëzakonisht e përfshirë dhe e interesuar, padiskutim kryeministri Conte dhe kryeministri i Kanadasë. Me Presidentin Trump kemi folur, me Presidentin Erdogan kemi folur”, tha Rama.

Të shikojmë tani më tutje, tha Rama, duke shtuar se “qëllimi është të realizojmë një konferencë donatorësh dhe kjo ishte ajo që unë kam kërkuar”. “Reagimet e para janë pozitive, të shikojmë më tutje. Jemi duke punuar intensivisht dhe vazhdojmë punën intensive në këtë drejtim”, tha Rama.

I pyetur nëse u diskutua për integrimin, Rama tha se fokusi ka qenë në këtë temë, situatën nga tërmeti. “Natyrisht që ka pasur edhe elementë të tjerë në bisedë lidhur me ecurinë e procesit të brendshëm në BE, si do të shkojë procesi i diskutimit dhe si mund të shkojë procesi i diskutimit mbi dokumentin e paraqitur nga Franca për një ndryshim të metodologjisë, por për hir të së vërtetës, unë kam qenë shumë i fokusuar tek kjo çështje se është një çështje që prek drejtpërdrejt sot njerëzit”, tha Rama.

Ndërkohë, sipas tij, “vendi do të vazhdojë të bëjë të njëjtat gjëra njësoj siç do t’i bënte sikur të ishin hapur negociatat”.

“Nga ana tjetër është një moment për të kuptuar qartë të gjithë se përtej dallimeve dhe kundërshtirave të natyrave të ndryshme në aspektin e procesit të negociatave, Europa është e gjitha e bashkuar në mbështetje të shqiptarëve, të gjitha vendet pa asnjë dallim, të gjithë liderët”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se vetë duhet të kthehet në Shqipëri, por Ministrja e Mbrojtjes po vazhdon intensivisht komunikimet me homologët dhe po ashtu edhe ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme.

“Në këtë front po bëjmë një punë shumë intensive. Kemi vënë në dispozicion edhe dokumente dhe shumë informacione që të mund të kenë një pamje shumë të qartë. Në nivelin e Ministrisë së Jashtme, të burokracisë shtetërore apo edhe në Bruksel, informacioni ka arritur dhe ndjekja bëhet në kohë reale se kemi parë shumë ndihmë në momentet e para, vazhdojmë të shohim ndihmë me ekipet e ekspertëve. Po ashtu për strehimin e përkohshëm kam kërkuar ndihmë që të mund të plotësojmë të gjithë ata që janë në zonat urbane me çadra dimërore”, tha Rama.

Por, Rama tha se “objektivi, që them se e kam arritur, është përfshirja drejtpërdrejt e liderëve”. “Të përfshijmë emocionalisht ata të cilët janë shumë të rëndësishëm në këtë proces, sepse një fjalë e tyrja është më shumë se sa një dosje e tërë e përgatitur në nivelet më të ulëta”, tha Rama.

Kryeministri foli edhe për thirrjet për bashkëpunim që i drejton kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke shtuar se “kjo është gjëja më normale në botë”. “Nuk ka asnjë sens që të vazhdojë historia me deklarata e komunikata në distancë, kur ne të gjithë jemi jo vetëm të goditur nga e njëjta tragjedi, por të gjithë jemi në nevojë për të ndërtuar çatinë e një shtëpie shumë më të madhe se shtëpia e politikës, që është shtëpia e Shqipërisë”, tha Rama. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com