Loading...

Rama në shtëpinë e re të Aurel Lalës në Kamëz: I tha “jo” vdekjes duke u hedhur nga dritarja dhe vazhdon jetën plot ëndrra

Kryeministri Edi Rama ishte pasditen e sotme në Kamëz, në shtëpinë e re të 7-vjeçarit Aurel Lala, i cili shpëtoi mrekullisht nga tërmeti i 26 nëntorit, duke u hedhur nga kati i tretë i pallatit që u shemb plotësisht në Thumanë.

“Në shtëpinë e ëngjëllit, i cili fluturoi nga kati i tretë për t’i thënë ‘JO’ vdekjes e që sot pas ëndrrës së realizuar për të takuar Ronaldon, vazhdon jetën plot me ëndrra e dëshira të cilat një kampion i këtij niveli do i arrijë patjetër”, tha Rama.

Duke folur me familjarët, Kryeministri i siguroi ata për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë, ndërsa u premtoi se do të rregullohen me punë të dy bashkëshortët e familjes Lala.

“Populli thotë: hallin që s’ma zgjidh të paktën ma qaj. Hallin që ju ra juve nuk e zgjidh dot njeri se janë punët e Zotit, por këto të tjerat do t’i qajmë bashkë”, tha Rama.

Ndërsa Aurelin e vogël, Rama e surprizoi sërish duke i dorëzuar çelësin e dhomës së tij, e cila ishte mobiluar me porosi të vetë kryeministrit.

Rama premtoi po ashtu se ditën e parë të shkollës do ta shoqëronte vetë në shkollë Aurelin, të cilit i kërkoi të mësojë e të stërvitet që të bëhet i famshëm nga vetja kur të rritet dhe jo vetëm pse takoi Ronaldon.

Nga shembja e pallatit në Thumanë, Aurel Lala humbi motrën e tij, ndërkohë që vetë shpëtoi mrekullisht.

Kryeministri Edi Rama i vizitoi fillimisht dy vogëlushët që shpëtuan mrekullisht nga shembja e pallatit, Aurel Lalën dhe Alesio Cakonin, në Spitalin e Traumës, ku ndër të tjera i premtoi tifozit të vogël të Juventusit edhe realizimin e ëndrrës së tij për një bluzë me firmë nga Ronaldo.

Kryeministri tejkaloi pritshmëritë e dy vogëlushëve, duke organizuar në Romë, Itali, një takim disaminutësh mes tyre dhe legjendave të futbollit, Ronaldo dhe Buffon./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com