Kryeministri Rama i ka dërguar një mesazh nga Twitteri kryedemokratit Lulzim Basha, nga Londra, atje ku po merr pjesë në Samitin e NATO-s me rastin e 70 vjetorit të krijimit të Aleancës.
Nisur nga takimet e Bashës me disa prej banorëve të prekur nga tërmeti, kryeministri thotë se ai nuk duhet të kërkojë raste njerëzish ende të pasistemuar për t’i përdorur për politikë, ndërsa i bën sërish thirrje për bashkëpunim.
“I dashur Lulzim, asgjë më të keqe s’mund të bëjë një politikan në këto ditë të zymta, se sa të kërkojë raste njerëzish ende të pasistemuar për t’i përdorur për politikë! Ka shumë akoma që duan dorën tonë dhe ngrohtësinë e kujtdo që mundet t’ua japë! Eja të bashkëpunojmë…
Mos u mjafto me fjalët e errëta e me pamjen që dukesh sikur e ke humbur ti shtëpinë, jo ata fatkeqë që kështu bëhen sfond mediatik, për të përcjellë zymtinë e politikës së stërvjetër, nē vend të ngrohtësisë njerëzore! Le t’i ndihmojmë së bashku me pak dritê, se zymti kanë boll, shkruan Rama në Twitter.