Loading...

Qeveria plan masash, jo vetëm për emergjencën, por edhe për të ardhmen e familjeve të prekura nga tërmeti

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, teksa e nisi fjalën e saj në Kuvend duke cituar Branko Merxhanin, mendimtarin e shquar shqiptar, me fjalët se ‘shpëtimi gjendet thellë në shpirtin kombëtar’, theksoi se “buxheti dhe të gjitha aktet që qeveria ka miratuar synojnë një plan tërësor masash, jo vetëm për emergjencën, por edhe për të ardhmen e këtyre familjeve, duke nisur së pari nga familjet që kanë humbur njerëzit e tyre, si pasojë e tërmetit”.

Në fjalën e saj në Kuvend, Spiropali theksoi se “sot nuk e kam aspak të lehtë të flas në këtë foltore kur ende nuk është zhbërë dhe besoj do të jetë e vështirë të zhbëhet hija e dhimbjes së madhe e tërmetit të 26 nëntorit”.

“Një fatkeqësi natyrore që e liga e desh të çirrej edhe me fatkeqësi njerëzore 51 jetë të humbura , gra, fëmijë, burra e të moshuar që do ti kujtojmë si portrete në zemrat e mendjet tonë në rrokullimën e përditshme. 1 mijë të plagosur, mijëra të pastrehë, 5000 ndërtesa, banesa të shkatërruar , çaste që të mbërthenin dhe që duhet të prisje deri në pafundësi deri sa të dëgjoje nga mesi i gërmadhave lajmin se në këtë shtëpi ka jetë apo ai , ajo shpëtoi, ky fëmijë doli e gjer tek momentet therëse kur një jetë flijohet për të shpëtuar një tjetër jetë, si e moshuara nga Thumana që i bekoi jetën për së dyti nipit duk e mbajtur në prehrin e saj dhe duke e shtrënguar fort mes krahësh”,- nënvizoi Spiropali

Sigurisht, vijoi ajo, jo të gjithë mbërritën ti shpëtojnë fëmijët dhe të afërmit e tyre, prandaj të gjithë përjetuam orë tmerrim, por ora jonë nuk duhet të mbetet në ato momente por duhet të ecë përpara.

“Ne duhet të themi patjetër e duhet të tregojmë për shpirtin e pamposhtur shqiptar të treguar këtë javë , jo vetëm institucionet shtetërore që u angazhuan të gjitha pa përjashtim për përballimin e kësaj situate të fatkeqësisë natyrore, por edhe shpirti kombëtar që u ngrit e solidarizua për të na treguar që ne mund të ngremë nga gërmadhat dhe rrënojat një mundësi e vizion për të ardhmen dhe ky është synimi ynë”,- theksoi Spiropali.

Ministrja Spiropali u shpreh se “mbi 2 mijë efektivë të forcave të armatosura ishin në gatishmëri që në momentet e para , forcat e armatosura shqiptare, por edhe vëllezërit tanë nga Kosova të cilët të parët iu përgjigjën jo detyrës por ndjenjës së tyre kombëtare. Por edhe miqtë tanë nga Italia, Greqia, Kroacia, Mali i Zi, Serbia, Turqia, Zvicra Rumania, Maqedonia e Veriut, Franca dhe Izraeli. Forcat e Armatosura janë të mobilizuar anë terren me mjekë, infermierë, zjarrfikës, punonjës të pushtetit lokal, emergjencat civile, të cilët po menaxhojnë situatën”.

Sipas saj, janë bërë më shumë se 3 mijë vizita mjekësore e trajtime për qytetarët e prekur nga tërmeti.

Spiropali falënderoi edhe qytetarët e thjeshtë që i janë bashkuar këtyre ekipeve.

“Këshilli i Ministrave miratoi akte normative pas një analize të imtësishme të situatës, para për dhurimin e apartamenteve për familjet që humbur të afërmit e tyre nga tërmeti.
Të gjithë familjarët që kanë patur viktima në familje do tu akordohet një përkrahje financiare prej 1 milion lekë, do të përfitojnë bursë prej 15 mijë lekë në muaj studentët dhe fëmijët deri në moshën universitare, që kanë humbur familjarët e tyre në Durrës, Tiranë , Lezhë apo kudo tjetër. Të gjithë personat që u janë shkatërruar banesat apo janë shpallur të pabanueshme do të akomodohen tani në hotel dhe më vonë me trajtim dhe më vonë në apartamente. Do të trajtohen me ndihmë të posaçme të gjithë të moshuarit e familjeve të mbijetuara”-, tha Spiropali duke shtuar se projekti i rindërtimit është një çështje shumë e gjerë që parashikon një vizion tonin për ti ndryshuar këto qytete.

Ajo theksoi se kemi më pak resurse se shumë vende të tjera që kanë kaluar fatkeqësi natyrore por nuk na mungon aspak shpirti i solidaritetit.

“Kemi gjetur jo vetëm tek politika por edhe tek qytetarët një dëshirë të madhe për t’u ringritur. Është kjo dëshirë për ripërtëritje, kjo dëshirë për të vendosur rend në kaosin tonë që na ra mbi kokë nga tërmeti që më jep shpresë”, tha Spiropali./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com