Loading...

Princi i Kurorës: Emiratet e Bashkuara Arabe do të mbështesin Shqipërinë për rindërtimin

“Emiratet e Bashkuara Arabe do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë edhe për rindërtimin” konfirmoi sot Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan, Princ i Kurorës së Abu Dabit, në një takim me kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Në një vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Balla i shprehu Princit të Kurorës mirënjohjen për solidaritetin që ai tregoi për Shqipërinë menjëherë pas fatkeqësisë së shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Duke e informuar për situatën aktuale dhe vlerësimin paraprak të dëmeve të shkaktuara, Balla tha se “Shqipëria do t’i ishte mirënjohëse Emirateve të Bashkuara edhe për një mbështetje financiare për rindërtimin e mijëra banesave si dhe të shkollave dhe qendrave shëndetësore të dëmtuara nga tërmeti”.

“Jemi vëllezër”, ishte përgjigjja e Princit të Kurorës së Abu Dabit, LH Sheikh Mohammed bin Zayed al Nahyan. Ai tha se “populli i Emirateve të Bashkuara i shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave dhe i qëndron pranë popullit shqiptar në këto momente të vështira”.

Edhe me Kryetarin e sapozgjedhur të Parlamentit të Emirateve të Bashkuara, Sh.T.Z. Saqr bin Ghubash Saeed Ghubash tema kryesore e bisedës ishte nevoja e mbështetjes së Shqipërisë në fazën e rindërtimit.

“Rikonfirmuam nivelin e marrëdhënieve vëllazërore mes dy vendeve tona, si dhe mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare ku bejmë pjesë. Kuadri i marrëveshjeve bilaterale të firmosura mes dy vendeve dhe të ratifikuara nga dy parlamentet është i plotësuar dhe ndikon drejtpërdrejtë intensifikimin e investimeve të ndërsjellta dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare. Është shumë e rëndësishme që EBA të heqin vizat për qëllim turizmi për qyetarët shqiptarë si dhe vendosja e një linje direkte fluturimi me Tiranën”, tha Balla.

Aktualisht, ai tha se “kemi në zbatim disa marrëveshje bashkëpunimi me ADFD (Abu Dhabi Fund for Development) sikurse është edhe projekti i Buleverdit të Tiranës.

Gjatë takimeve me autoritetet e larta të Emirateve të Bashkura ishte i pranishëm edhe Presidenti i Këshillit Global për Paqen dhe Tolerancën Sh.T.Z. Ahmed Bin Mohamed Al Jarwan, i cili do të vizitojë në javët në vijim Shqipërinë, pikërisht për të parë nga afër nevojat e Shqipërisë në procesin e rindërtimit.atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com