Në fshatin Novoselë të Vlorës situata pas reshjeve të dendura që e përfshinë në fundjavë është normalizuar.
Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha për ATSH-në se “pas fryrjes së lumit Vjosa si pasojë e motit të keq të shoqëruar me reshje të shumta shiu, ditën e sotme niveli ka pësuar rënie”.
Sipas tij, niveli i ujit ka rënë në kuota normale dhe lumi Vjosa është në shtrat.
“Gjatë ditës së sotme po punojmë për hapjen e portave bllokuese, për të ulur më tej nivelin e ujit të Vjosës”, – tha Mamaj.
Moti i keq që përfshiu vendin tonë në fundjavën që lamë pas solli probleme edhe në qytetin e Vlorës, ku konkretisht në Novoselë pati rritje të nivelit të lumit Vjosë, si pasojë e ujërave të shumtë që vinin nga Përmeti dhe Gjirokastra./atsh