Policia e Shtetit ka sekuestruar disa pasuri me vlerë rreth 500 000 euro, që dyshohen se janë përfituar nga veprimtaria kriminale e pastrimit të parave.
Në deklaratën për mediat bëhet ditur se “në vijim të punës për gjurmimin, evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtaria kriminale, si dhe në kuadër të procedimit penal të nisur prej vitit 2014, Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, bënë zbatimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për vendosjen e sekuestros preventive mbi disa pasuri dhe objekte, si: 2 apartamente banimi në Vlorë dhe Orikum, 1 pemishte në Radhimë, 2 automjete dhe 2 llogari bankare”.
“Këto sekuestrime pasurore janë në kuadër të procedimit penal proaktiv të vitit 2014, ndaj shtetasit L. B., si person i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ky shtetas ka qenë i dënuar në Itali, për veprën penale “Trafikim narkotikësh” dhe dyshohet se këto pasuri i ka ngritur mbi bazën e këtyre veprimtarive të paligjshme. Veprimet e tjera procedurale vijojnë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë”, sqaron policia../atsh