Loading...

Përkrahësit e apostrofit dorëzohen para injorancës së kohëve moderne

Pas dy dekadash përpjekje për të mbrojtur përdorimin e saktë të apostrofit në gjuhën angleze, përkrahësit më të zëshëm të kësaj shenje pikësimi vendosën të dorëzohen, të shkurajuar nga dembelizmi dhe injoranca, sipas tyre, e kohëve moderne.

Presidenti i Shoqatës Britanike për Mbrojtjen e Apostrofit, John Richards, 96 vjeç, njoftoi se kjo shoqatë do ta ndërpriste aktivitetin e saj.

Richards e themeloi shoqatën në vitin 2001 për të ruajtur përdorimin e saktë të kësaj shenje pikësimi, shumë shpesh preh e abuzimeve.

Ish-gazetari e kaloi periudhën e fundit të karrierës së tij si sekretar redaksie, duke kontrolluar artikujt e gazetarëve para se të botoheshin, një detyrë që shpesh përfshinte korrigjimin e përdorimit të tyre të apostrofit.

Pas daljes në pension, ai vazhdonte të kapte të njëjtat gabime flagrante, ndaj vendosi të merrte masa, duke e konsideruar apostrofin si një specie në rrezik që duhej të mbrohej.

Megjithatë, ai njoftoi se shoqata e tij do ta ndërpriste aktivitetin për dy arsye.

“E para është se unë jam 96 vjeç dhe ka ardhur koha të tërhiqem dhe arsyeja e dytë është se, tani, gjithnjë e më pak organizata e njerëz po shqetësohen për përdorimin e saktë të apostrofit në gjuhën angleze”, u shpreh ai në faqen e internetit të Shoqatës.

“Me mbështetësit tanë të shumtë në mbarë botën, ne bëmë më të mirën tonë, por dembelizmi dhe injoranca e kohërave moderne fitoi!”, vazhdoi ai./ atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com