Loading...

“Për komunitete të sigurta”, takim sensibilizues në bashkinë e Fierit

“Për komunitete të sigurta” ishte aktiviteti i zhvilluar sot në bashkinë e Fierit, një takim sensibilizues në vijimësi të ndërhyrjeve, planifikuar të realizohen në kuadër të kundërshtimit të ekstremizmit të dhunshëm, nga Qendra e Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (CVE) në të gjitha bashkitë e vendit.

Bazuar në rolin që ka në këtë mision dhe bashkia Fier, nënkryetarja Enkelejda Peshkëpia foli për angazhimin, ndërveprimin institucional, mbështetur edhe në koordinimin me institucionet dhe aktorët e tjerë lokalë.

Ky takim synonte fuqizimin dhe ngritjen e kapaciteteve mbi çështjen e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, për aktorët e vijës së parë që operojnë në këtë komunitet (mësues, oficerë të policimit në komunitet, punonjës socialë, psikologë, mjekë, administratorë socialë, koordinatorë të njësive të mbrojtjes së fëmijëve, etj).

Në fokus të këtyre takimeve janë këshillat vendorë të sigurisë publike, konsolidimi i tyre, me qëllim një qasje gjithëpërfshirëse të shoqërisë në kundërshtim të fenomenit në fjalë.

Mirëfunksionimi i KVSP-ve dhe fuqizimi i bashkëpunimit me të gjithë aktorët institucionalë të vijës së parë që ulen në këto Këshilla, do të mundësonte në kohë reale identifikimin, trajtimin, menaxhimin dhe zgjidhjen e problematikave mbi tematikën në fjalë që rrezikon të cenojë sigurinë e komunitetit dhe jo vetëm. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com