Papë Françesku u shpreh sot në mesazhin e tij për festën e Krishtlindjes se lindja e Jezu Krishtit duhet të sjellë mirësi për të gjithë dhe të ndriçojë errësirën e kësaj bote.
Duke kritikuar errësirën në marrëdhëniet personale, familjare dhe shoqërore, si dhe në konfliktet ekonomike, gjeopolitike dhe ekologjike, papë Françesku shtoi se drita e Krishtit është më e madhe.
Ati i shenjtë i 1,3 miliardë katolikëve në botë dha mesazhin dhe bekimin e Krishtlindjeve “Urbi et Orbi” nga ballkoni qendror i bazilikës së Shën Pjetrit.
Ai përmendi konfliktet dhe trazirat në Lindjen e Mesme, Afrikë, Ukrainë dhe Amerikën Latine, si dhe viktimat e përndjekjes fetare, katastrofave natyrore, epidemive dhe grupeve terroriste.
“Le të sjellë Jezusi dritë për të gjithë anëtarët e vuajtur të familjes sonë njerëzore dhe të zbusë zemrat tona, shpesh të ftohta dhe egoiste, si dhe t’i bëjë ata kanale të dashurisë së tij,” u shpreh papë Françesku. /atsh