Kryeministri Edi Rama, në videomesazhin e publikuar me rastin e ndërrimit të viteve, nënvizon se nuk është armik i fjalës së lirë, por armik i betuar i injorancës dhe i vulgaritetit.
Duke uruar shqiptarët për një vit sa më të mbarë, Rama theksoi se “asnjë gjemb në këmbë nuk i fut botuesve, gazetarëve e analistëve ligji kundër shpifjeve e fabrikimeve nëpër portale, thjesht u kujton se liria e tyre nuk është armë për të cenuar publikisht dinjitetin njerëzor”.
“Unë armik i fjalës së lirë? Po pse kur ka ndodhur që fjalëtorët e lirë ta kenë mundur dot fjalën time të lirë? Jo, unë nuk jam armik i fjalës së lirë. Jam po, armik i betuar i injorancës dhe i vulgaritetit, që kanë infektuar edhe burimet e lirisë së shprehjes në këtë vend, duke ju helmuar përditë të gjithëve ju, e familjen time po njësoj, me gjithfarësoj ligësish e monstruozitetesh”-, tha Rama.
“E meqë jemi këtu, as nuk kam menduar, as nuk kam kërkuar, as nuk kam mbështetur ndonjë ligj që kufizon lirinë e shprehjes. Kam votuar në parlament, bashkë më forcën time politike, një ligj që u jep mundësi viktimave të shpifjes të mbrohen nga agresioni i portaleve mbi njeriun dhe lexuesve të portaleve të mësojnë të vërtetën e njerëzve të akuzuar padrejtësisht. Asnjë gjemb në këmbë nuk i fut botuesve, gazetarëve e analistëve ligji kundër shpifjeve e fabrikimeve nëpër portale, thjesht u kujton se liria e tyre nuk është armë për të cenuar publikisht dinjitetin njerëzor”-, shtoi kryeministri.
“Shumëkujt ndër ju i dukem arrogant. Mbase sepse besoj tek bindjet jo tek konsensusi dhe jam shumë këmbëngulës në bindjet e mia. Por mbase edhe sepse kokëfortësia për t’i mbrojtur bindjet a për t’u shkuar gjërave deri në fund, më bën të dukem arrogant. Mbase edhe jam xhanëm, nuk e di, po kjo nuk më bën më pak të ndershëm në kryerjen e detyrës”-, theksoi Rama.
Kryeministri Edi Rama, nënvizon se nuk është nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota, po thekson se është i racës së atyre që në politikë i ka futur forca e besimit dhe e ëndrrave për ndryshim.
“Dy fjalë për veten time. Unë nuk jam i rënë nga qielli”-, tha Rama
“Nuk kam menduar ndonjëherë se jam pa të meta. Përkundrazi, kam më shumë se ju – ndoshta edhe sepse jam më i gjatë! Nuk më ka thënë kurrë mendja se jam i pagabueshëm. Përkundrazi, jam më i gabueshëm se sa ju – për shkak të detyrës, më duhet të marr shumë më tepër vendime se secili prej jush, pra probabilitetin e gabimit e kam shumë më të madh se çdonjëri nga ju.
Po ama asnjëherë, kurrë, nuk e kam bërë në këtë detyrë një gabim të qëllimshëm, për të përfituar çfarëdo qoftë, në dëmin e popullit apo të këtij vendi që kam nderin e madh të drejtoj. Kush më njeh më nga afër, kush punon me mua, e di se unë nuk këmbëngul asnjëherë në një opinion a drejtim të gabuar”-, vuri në dukje kryeministri.
“I dëgjoj kundërargumentet shumë më tepër se sa duket. Kur janë bindëse tërhiqem. Nuk e kam të vështirë të kërkojë ndjesë, kur kam lënduar dikë apo kam gabuar në vlerësimin e një vendimi – mbase e kujtoni që kam kërkuar edhe ndjesë publike në ndonjë rast të caktuar. Nuk më kujtohet ta ketë bërë këtë ndonjë paraardhësi im, po nuk është ky sidoqoftë metri me të cilin e mas veten dhe as ju kërkoj të më masni me këtë metër.
Jo të gjitha gjërat që kam premtuar i kam mbajtur në kohë. Ka edhe ndonjë premtim që ende nuk kam arritur t’a mbaj dot. Po ama në asnjë rast të vetëm, nuk kam premtuar diçka duke e ditur që nuk bëhet – për të kaluar radhën apo thjesht për vota, siç mendohet rëndom kur flitet për premtimet e politikanëve. Kurrë!”-, theksoi Rama, teksa vijon argumentin e tij.
“E para sepse nuk jam nga soji i politikanëve që gënjejnë për vota, po jam i racës së atyre që në politikë i ka futur forca e besimit dhe e ëndrrave për ndryshim. Dhe e dyta, mendojeni edhe vetë pak, kthehuni një sekondë në kohë, pse do të duhej të gënjeja, të premtoja gjëra që nuk i besoj as vetë, kur me fuqinë që më ka dhënë Zoti e me forcën politike që udhëheq, kundërshtarët me thënë të drejtën, mund t’i mundja edhe me çerekun e premtimeve që kam bërë!”-, u shpreh Rama
“E di që jam i kritikueshëm, duhet ta dini se jam më i pakënaqur se çdokush tjetër me punën time, edhe me qeverinë që drejtoj. Po ama, balta e pafundme për hajdutërira e pisllëqe thjesht nuk përket”-, tha Rama.
“Ej miq, keni parë ndonjëherë hajdut 2 metra?, pyeti Kryeministri. “E përtej shakasë, që është gjysma e të vërtetës, gjysma tjetër e të vërtetës është se unë s’jam i varfër. Por s’kam ëndërruar kurrë të bëhem as i pasur. Nuk jetoj për të fituar, fitoj sa më mjafton për të jetuar. Nuk jetoj për salltanete, po për pasionet e mia. Jeta për mua është mundësia që më është më dhënë, për të lënë gjurmën time përmes dhuntive që më janë falur. Ndërsa këtë detyrë që kam, e jetoj si privilegjin më të madh që mund të ketë njeriu, të udhëheqë popullin e vet në një pjesë të rrugës drejt të ardhmes”-, tha Rama.
“Shumë e shumë prej jush, miq në faqen time sociale, pyesnit gjatë ditëve të emergjencës pas tërmetit, ku e gjen këtë fuqi (?). Po ja pra, tek ndjesia në çdo qelizë e privilegjit që kam për të qenë i zgjedhuri juaj në detyrën më të lartë dhe pasioni për të bërë të pamundurën, që ky vend të bëhet më i mirë për ju, e për fëmijët e mi dhe fëmijët tuaj”-, theksoi Kryeministri. /atsh