Deputetja e Partisë Socialiste, Vasilika Hysi theksoi se me paketën ligjore antishpifje të miratuar sot në Kuvend mundësohet që të krijohet një komunikim me portalin, i cili cenon imazhin e qytetarëve.
“Shumica e njerëzve nuk e njohin ligjin. Është ligj i vështirë, është teknik. Zhvillimet e teknologjisë kanë qenë të vrullshme sa dhe mediet tradicionale kanë nga një faqe online. Këtu po vendoset një balancë mes lirisë së shprehjes dhe lirive e të drejtave të njeriut. Deri sot i është dhënë shumë hapësirë lirisë së shprehjes duke cenuar liritë e tjera. Liria e shprehjes përfundon aty ku cenohet liria e tjetrit”, tha Hysi.
Duke iu referuar një studimi të këshillit të medies Hysi tha se, “1280 raste cenimesh keni gjetur në 40 portale dhe 35 portale i keni gjetur me shkelje të etikës”.
“Portalet mund të jenë private, por çdo qytetar ka detyrimin të respektojë lirinë e tjetrit”, tha Hysi.
“Nëse dikush boton në portalin e tij një lajm të rremë unë e detyroj atë të ketë një adresë, e-mail që unë t’i shkruaj dhe t’i them zotëri informacioni që keni botuar është i rremë. Pra të ketë një adresë dhe t’i them që lajmi është i rremë dhe ai të më japë një përgjigje”, theksoi Hysi.
“Kur ra tërmeti u dha lajmi që në morgun e Tiranës janë fshehur 100 kufoma. Unë se dija që ai portal ishte i regjistruar në Kolumbi. Por kështu e dimë kush e ka portalin dhe merr një përgjigje”, tha Hysi.
Hysi gjithashtu sqaroi një nga ndryshimet e bëra nga mazhoranca në paketën antishpifje, në pikën ku thuhet “pezullim të përkohshëm të licencës dhe/ose autorizimit (shtohet) për ofruesit e shërbimeve audio dhe audio-vizive”. Hysi sqaroi se një gjë e tillë nuk kërcënon televizionet. Që do të thotë, duke qenë se ligji tashmë përveç TV i shërben edhe portaleve, është shtuar ” audio-vizive” për të specifikuar se cilës media i referohet.
“Licencë kanë mediet vetëm audiovizive, sepse duhet ta dallojnë që në rastet e portaleve nuk ka nevojë për autorizimin. Dhe kur flitet për rastet e gjobave. Për të qartësuar. Deri tani, ky nen ka qenë vetëm për mediet audiovizive, me ndryshimin e ligjit është edhe për portalet. Në këtë rast duhet bërë dallimi se kujt i referohet”, tha Hysi.
Hysi tha se gazetarët janë ftuar për konsultim. “Kemi bërë 5 seanca dëgjimore në çdo Komision të Ligjeve, Mediave dhe Veprimtarive Prodhuese”, theksoi ajo.
“Ky ligj nuk rregullon përmbajtjen por ka parashikuar 2 mekanizma procedurialë. E para të gjitha portalet të japin adresë. A është rregullim përmbajtje nëse të gjitha portalet do kenë rregullat e privatësisë? Nëse një lajm është i rremë. Ai që është prekur i drejtohet portalit. Nëse portali thotë se nuk e ndryshon lajmin i drejtohet AMA-s. Nëse dhe pas AMA-s portal nuk e ndryshon lajmin shkohet në gjykatë”, tha Hysi.
Hysi tha se, “anëtarët e AMA-s zgjidhen nga parlamenti. I njëjti parlament që zgjedh dhe presidentin dhe Kryeministrin dhe Prokurorin e Përgjithshëm”./atsh