Loading...

Paketa antishpifje, Blushi: Qëndrimi i Presidentit, pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi ka deklaruar sot se Meta do të shprehë qëndrimin e tij ndaj paketës ligjore antishpifje miratuar sot në Kuvend, pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore dhe relacionin shoqërues.

I pyetur nga mediet, se cili do të jetë qëndrimi i Presidentit të Republikës ndaj paketës antishpifje, zëdhënësi i tij, Tedi Blushi sqaroi se Meta do të shprehet në kohën e duhur, pa u ndikuar nga askush përveç Kushtetutës dhe ligjit.

“Pasi të njihet zyrtarisht me ndryshimet ligjore dhe relacionin shoqërues, Presidenti Meta do të ndërtojë një proces shterues ligjor, dhe do i njohë qytetarët me qëndrimin e tij përfundimtar”, theksoi Blushi.

Kuvendi miratoi sot me 82 vota pro projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013, “Për mediet audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.

Projektligji u miratua me disa amendime të propozuara nga kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Kuvendi gjithashtu miratoi me 87 vota pro edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com