Anija e shpëtimit “Ocean Viking” ka kryer një shpëtim të dytë që nga e premtja, këtë herë 50 migrantë, shkruan në Twitter dy organizatat që drejtojnë anijen.
“Pesëdhjetë persona, përfshirë këtu 10 fëmijë dhe një foshnjë, ndodheshin në një varkë druri të mbipopulluar në kushte të vështira të motit”, deklaruan sot organizatat “SOS Mediterranee” dhe “Mjekë pa Kufij” (MSF).
“Të gjithë janë të sigurt në bord”, shtuan ato.
Ky operacion çoi numrin e migrantëve të shpëtuar në anijen “Ocean Viking” në 162 persona.
Të premten, anija shpëtoi 112 persona nga një gomone e shpuar, e gjendur rreth 60 kilometra larg brigjeve të Libisë.
Anijet e bamirësisë që operojnë në zonën e Mesdheun Qendror kërkojnë dërgimin e migrantëve të shpëtuar në Itali ose Maltë, por shpesh duhet të presin ditë të tëra para se t’u jepet autorizimi./atsh