Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me dekoratën e lartë “Nënë Tereza” zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme në detyrë të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Presidenti i Republikës i dorëzoi zotit Pacolli dekoratën e lartë “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për angazhimin dhe ndjeshmërinë e lartë personale dhe familjare, treguar ndaj popullit të Thumanës dhe mbarë Shqipërisë, si gjithë populli dhe shteti i Kosovës, duke nxitur një zinxhir solidariteti kombëtar të pashembullt pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Për kontributin e tij të vazhdueshëm humanitar në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar”.
“Pacolli është një personalitet i shquar, që gjithçka e ka arritur vetë në jetën e tij falë përpjekjeve, studimeve dhe sfidave të panumërta me të cilat ai është ndeshur dhe jo vetëm ka arritur të dallojë dhe shkëlqejë në fushat e biznesit, të ekonomisë, të sipërmarrjes, por gjithashtu ajo që e bën atë të veçantë dhe mbi të gjitha, që e bën edhe të dashur për njerëzit, është pikërisht angazhimi i tij i pareshtur për dekada në aktivitetin humanitar, në shërbim të paqes, po kështu për krijimin e një imazhi të dalluar dhe pozitiv të shqiptarit në botë, jo vetëm si një sipërmarrës i suksesshëm, por edhe si një njeri i jashtëzakonshëm dhe me zemër të madhe”, u shpreh Meta.
Si një ambasador i paqes, si një sipërmarrës i suksesshëm i përmasave ndërkombëtare, si promovues i realiteteve ekonomike kombëtare, nëpërmjet nxitjes së formave komplementare, politikan dhe shtetar i përgjegjshëm, me dashuri të madhe për Kosovën dhe shqiptarët, -vijoi Meta,- ai është një dëshmi e veçantë dhe e pashembullt, jo vetëm e suksesit, por edhe e humanizmit.
“Si një njeri i tillë mjaft bujar, Pacolli ka një veprimtari tejet frymëzuese humanitare. Kujtojmë këtu krijimin e fondacioneve për jetimët, refugjatët, në ndihmë të studentëve, në asistencën ndaj njerëzve në nevojë, ndërtimin e shtëpive për të varfrit, sponsorizimet në fushën e artit, kulturës dhe të sportit, dërgimi i dhjetëra pacientëve të Kosovës jashtë vendit për trajtim mjekësor e kështu me radhë”, – shtoi më tej Presidenti Meta.
Presidenti veçoi edhe ndërmjetësimet e tij për lirimin e disa pengjeve dhe të një gazetari italian në vende në konflikt si Afganistani, të cilat dëshmojnë për titujt e akorduar ndaj tij, më se të merituar, si kalorës global i paqes.
“Së fundmi, pas pasojave të rënda të shkaktuara nga tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, Pacolli shpalosi menjëherë një ndjeshmëri të lartë, personale dhe familjare, përveçse edhe institucionale si pjesë e të gjithë popullit dhe shtetit të Kosovës, ndaj popullit shqiptar e në veçanti ndaj popullatës më të goditur rëndë, asaj të Thumanës, duke dhënë kontributin e tij të menjëhershëm në interes të rindërtimit të zonave të prekura nga tërmet dhe duke i dhënë në këtë mënyrë një nxitje të mëtejshme gjithë atij solidariteti mbarëshqiptar”, – u shpreh Presidenti Meta./atsh