Presidenti Ilir Meta u shpreh sot se “rasti i shkeljeve të Ardian Dvoranit është tmerrësisht flagrant, ndaj shpresoj që Prokuroria të mos jetë nën presione politike dhe të bëjë punën e saj me profesionalizëm”.
Në një prononcim për mediet jashtë dyerve të Prokurorisë, Meta tha se “jam këtu në përgjigje të ftesës nga institucioni i Prokurorisë, pas kallëzimit penal që unë kam bërë për shtetasin Ardian Dvorani, për dy vepra të qarta penale, të përmbushura plotësisht me dashje prej tij, atë të shpërdorimit të detyrës dhe përvetësimit të kompetencës dhe titullit shtetëror”.
“Kjo është një provë e madhe për të gjithë të ardhmen e Reformës në Drejtësi. Kushtetuta e thotë shumë qartë në nenin 4, pika 2. Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë: Dispozitat kushtetuese zbatohen në mënyrë të drejtpërdrejtë, përveç rasteve kur Kushtetuta parashikon ndryshe. Bëhet fjalë për Gjykatën Kushtetuese, integriteti i së cilës është me interes mbarëkombëtar”, – tha Meta.
Presidenti siguroi edhe njëherë të gjithë qytetarët shqiptarë se presidenti i tyre “ka zbatuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dispozitat kushtetuese dhe parashikimet e qarta kushtetuese për çështjen në fjalë”.
“Të gjitha provat e depozituara deri tani janë të mjaftueshme që Prokuroria të veprojë ndaj shtetasit Ardian Dvorani. Ne nuk bëjmë presione. Çështja është shumë e rëndë, sepse ka vënë në pikëpyetje gjithë seriozitetin e shtetit të së drejtës në Shqipëri”, – tha Meta.
Sipas tij, “kjo është një çështje që askush nuk mund t’i shmanget, ndaj ne jemi të qetë e të duruar dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me Prokurorinë, pasi ky është një rast tepër flagrant”.
Presidenti iu përgjigj edhe pyetjes lidhur me propozimet e PS-së që shmangin rolin e tij bllokues për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. “Presidenti i Republikës nuk është në punë, as në detyrë, është në mision dhe nuk provokohet nga ‘cic mice’ të tilla, nga kushdo që i orkestron ato. Presidenti i Republikës ka qenë, është dhe do të jetë garant i Kushtetutës dhe i fton të gjithë të merren me përballimin e pasojave të tërmetit në mënyrë më të përgjegjshme. Kush gjen kohë në këto momente për të provokuar Presidentin dhe popullin, ta ketë të qartë se Presidenti është i ndërgjegjshëm edhe për misionin e tij dhe e di mirë detyrën e tij”, – tha Meta. /atsh