Loading...

Meta pret përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit: Kauza juaj e drejtë

Presidenti Ilir Meta priti sonte me kërkesë të tyre një përfaqësi të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Artistët e falënderuan Kreun e Shtetit për mbështetjen e dhënë prej tij për aplikimin e tyre drejtuar organizatës “Europa Nostra”, me qëllim mbrojtjen e kompleksit të Teatrit Kombëtar.

Meta i garantoi se “unë do të jem gjithmonë me ju, sepse kauza juaj është tërësisht një kauzë e drejtë”.

Gjithashtu, artistët e falenderuan Kreun e Shtetit edhe për depozitimin e kërkesës në Gjykatën Kushtetuese për rrëzimin e ligjit për shembjen e godinës së Teatrit.

Në fjalën e rastit, Presidenti Meta tha se Teatri Kombëtar nuk është thjesht një godinë që u përket artistëve, por një vlerë e jashtëzakonshme kulturore dhe kombëtare, që duhet mbrojtur nga të gjithë.

Gjithashtu Meta vlerësoi rezistencën paqësore dhe demokratike të artistëve, duke theksuar se kjo qëndresë ia ka vlejtur edhe për fatin sepse ka bërë të mundur që të ndërgjegjësohet, jo vetëm opinioni vendas, por edhe ai ndërkombëtar për mbrojtjen e kësaj trashëgimie kulturore.

Duke bashkëbiseduar me artistët dhe përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, Meta u shprehu mirënjohjen personale dhe institucionale për ndihmat bujare që kanë mbledhur vullnetarisht për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit 2019./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com