Loading...

Meta ngushëllon familjen Abazi nga Gjilani për humbjen e jetës së dy vëllezërve nga tërmeti

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot dhe i shprehu ngushëllimet e sinqerta familjes Abazi në Gjilan, për ndarjen e parakohshme nga jeta të dy vëllezërve Shemsedin dhe Isa Abazi, të cilët mbetën nën rrënojat që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit në Durrës.

“Nuk mund të mos vija sot në Gjilan për të ndarë dhimbjen me familjen Abazi, për humbjen e pazëvendësueshme dhe të pangushëllueshme të dy njerëzve të tyre mjaft të dashur, pjesë e të gjitha atyre humbjeve tragjike njerëzore që pësuam me tërmetin e 26 nëntorit në Shqipëri”, u shpreh Meta, pasi u takua me anëtarët dhe të afërmit e familjes Abazi.

“Me këtë ndjenjë solidariteti që ekziston mes dy vendeve tona, që është një ndjenjë tepër vëllazërore dhe njerëzore, dhimbja do të jetë më e lehtë dhe kjo familje do të ketë mundësi për ta përballuar atë me mbështetjen e të gjithë komunitetit, e veçanërisht të të gjithëve ne në Shqipëri dhe Kosovë, në mënyrë që të gjithë ata që humbën të afërmit e tyre, të ndiejnë mbështetjen dhe kujdesin tonë, për një të ardhme më të mire”, tha Meta.

“Ngushëllime edhe të gjithë komunitetit të mrekullueshëm të Gjilanit për këtë humbje të dy qytetarëve të nderuar”, u shpreh ai./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com