Presidenti Ilir Meta mori pjesë sot në një veprimtari bamirësie kushtuar rreth 200 fëmijëve jetimë e jo vetëm, nga Durrësi e Kavaja, dy nga zonat e dëmtuara më rëndë nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit.
Kreu i Shtetit pranoi ftesën e Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë dhe Fondacionit “FAB” për të qenë pranë fëmijëve jetim.
“Jetimët duhet të ndjejnë ngrohtësinë, dhembshurinë dhe dashurinë e shtetit dhe të shoqërisë, por edhe të ndihen pjesë e familjes sonë të madhe, jo vetëm në momente të tilla humanizmi dhe solidariteti mbarëkombëtar”, tha Meta.
Ai u shpreh se duhet të punojmë të gjithë për një Shqipëri më njerëzore, më të dhembshur dhe të drejtë, që u jep ëndrra, shpresë dhe mundësi çdo ditë jetimëve, fëmijëve dhe të rinjve tanë për një të ardhme të sigurtë dhe të ndritur në atdheun tonë./atsh