Trupat e kërkim shpëtimit nga vendet e huaja që ndihmuan duke nxjerrë shqiptarët nën rrënoja në Durrës dhe Thumanë pas tragjedisë së tërmetit u vlerësuan mbrëmjen e sotme nga Kryeministri Edi Rama me një medalje që jepet për herë të parë, ‘Medalje e Artë për Vlerësim Profesional’.
“Ky takim si zakon përfundon me një libër të dhuruar, por këtë herë bibliotekat tuaja nuk do të pasurohen me librat e mi, sepse këtë mbrëmje unë mendoj se nuk ka asnjë mundësi për të mos ia dedikuar pikërisht trupave të kërkim-shpëtimit dhe pikërisht sepse është më e denjë dhe më fitimprurëse të japësh se sa të marrësh, ju nuk do mbeteni duarbosh gjithësesi. Nuk kam bërë zgjedhjen nëse jam produkt i zotit apo bujarisë, kam kaq shumë centimetra dhe e kam të vështirë të kuptoj nëse kam pasur me shumë se dy a tre takime me njerëz më të gjatë se vetja, por pa asnjë retorikë mund të ju them se kam dy javë që ndjehem shumë herë më i vogël se Erion Braçe në masë”, tha Rama , duke shtuar se “ dhe sot edhe më i vogël përballë shembullit të gjithë atyre heronjve që ishin këtu mes nesh, njerëz të zakonshëm të vendeve nga erdhën, prindër motra e vëllezër, bij e bija që siç erdhën ik, si engjëj mbrojtës që u shfaqën dhe u zhdukën dhe prandaj këtu nuk bëhet fjalë për lartësi as fizike as politike, as shoqërore, por për atë që siç thoshte Shën Pali ishte mirësia, thellësia dhe lartësia e brendshme e heroizmit të jashtëzakonshëm”.
Më tej Rama tha se “ekziston një varg që është i njëjtë në të gjithë librat e shenjtë, edhe në Bibël edhe në Kuran: “Kush shpëton një jetë, ka shpëtuar gjithë njerëzimin”. Unë nuk e di se çfarë mund të thuhet për ata që shpëtojnë më shumë se një jetë. Nuk e di si mund të përkufizohet devotshmëria dhe shpërblehet gatishmëria e gjithë atyre që nga 13 shtete e dy ekipe të BE dhe OKB shpëtuan këtu më shumë se një jetë. Por di që çka ata bënë dhe çka ata e bënë para syve tanë, do të luajë më shumë rol në gjithë konstitucionin tonë në raport me Europën se sa të gjitha raportet e Komisionit Europian. Do të luajë konstitucionin tonë në raport me fqinjët më shumë rol se sa të gjitha historitë që na janë treguar apo ngatërresat që na janë trashëguar. Dhe pa diskutim do të luajë më shumë rol edhe në raportin tonë me vetveten”.
Duke iu drejtuar ambasadorëve, Rama tha se “ekipet tuaja të kërkim shpëtimit janë arsyeja e parë dhe më themelorja sepse ai makthi i madh i momentit të asaj nate të gjatë ku gjithkush ishte i gatshëm të falte gjithçka vetëm të mbaronte ai makth u shndërrua në shpresë dhe besim”.
Më tej, Kryeministri Rama tha se një medalje nuk do të thotë asgjë, por është një medalje që jepet për herë të parë, ka kohë që është bërë, por nuk është dhënë kurrë më parë, pasi është një medalje që është e vështirë të gjesh kujt t’ia japësh, ‘Medalje e Artë për Vlerësim Profesional’.
“Fakti që për herë të parë ju jepet këtyre njerëzve, patjetër që do të behet edhe më e vështirë që të ju jepet edhe të tjerëve mbrapa. Por lumë ata që do ta marrin më mbrapa dhe do të renditen në radhën e atyre që janë pas këtyre trupave që për nga përkushtimi dhe nga aftësitë profesionale janë nga gjerat më të çmuara që kanë krijuar shtetet. Dhe dua që t’iu lutem që t’i përcillni bashkë me medaljet të gjithë komandantëve të këtyre trupave, shprehjen më të ndjerë të mirënjohjes në emër të popullit shqiptar dhe urimin më të madh për një vit sa më të lumtur në familjen e tyre.Dhe e mundshin flamujt dhe shenjat e tyre dalluese ta mbajnë edhe këtë medalje kuqezi që është shprehje e dhimbjes dhe e shpresës së mbarë një populli të cilët ata me aq heroizëm e ringritën shpirtërisht brenda një kohe shumë të shkurtër”, deklaroi Kryeministri Rama. /atsh