Loading...

“Laj…Thaj”, premiera më e re e humorit në “Petro Marko” – Një shfaqe që s’duhet humbur!

NJË SHFAQIE QË S’DUHET HUMBUR…

-“Laj…Thaj”, premiera më e re e humorit në “P. Marko”-

Ka njëmijë e një arësye pse duhet parë shfaqia me e re e Trupës së Varietesë së Vlorës, dhënë sonte si premierë në Teatrin “P. Marko” të qytetit.
Për humorin, për parodinë, për monologun, për pantonimën, për këngën popullore qytetare e këngën e lehtë, për trupën e baletit, për….dhe mund të vazhdoj edhe me të tjera argumente si regjia, dekori mjaft funksional, muzika etj. etj….
Por një prej këtyre arësyeve dua ta veçoj, madje ta theksoj fort, një fakt që lidhet me një gjest të madh por edhe me një guxim e profesionalizëm të lartë, për një mënçuri regjisoriale e krijuese që si me komandë mbërtheu një sallë të tërë nën një peshë të madhe emocioni.
Është fjala për nderimin artistik që i bënë shokët e kolegët e skenës e jetës, aktorit të madh të humorit vlonjat e shqiptar, të pa harruarit “Mjeshtrit të Madh”, Muhamet Liko.
Me një gjetje mjeshtërore po edhe tejet të guximshme, regjisorët Agalliu e Demiraj, na bëjnë përsëri bashkë Katërshen famëmadhe të humorit e ku më pas kënga dedikuar si vëllait të tyre, Met Likos, kënduar nga Afrim Agalliu e Agron Hamo me muzikë të Artur Dhamos, sikur i vinin vulën një shfaqie që me siguri do të mbahet mend gjatë.

Kemi të bëjmë, pa mëdyshje, me një këngë Himn për njërin prej ikonave më të mëdha të humorit shqiptar, Himn që vetëm këta artistë mund ta realizojnë.

Kjo shfaqie, veç të tjerash do të mbahet mend edhe si shfaqia e parë që u bë edhe me Metin por, pa Metin, dhe që tregoi se artistët e mëdhenj rrojnë e kujtohen përmes artit dhe veprës artistike që kanë lënë pas…
Urime të gjithë aktorëve, një për një, këngëtarëve e organizatorëve të premierës më të re të cilët edhe në kohë të vështira, përmes fuqisë së artit të tyre, dinë të dhurojnë buzëqeshje dhe të përcjellin optimizëm jete./Sejmen Gjokoli

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com