Manastiri i “Shën Kollit” në Mesopotam, në Sarandë, një nga monumentet më historikë dhe me arkitekturë të veçantë, është në fazën përfundimtare të restaurimit.
Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, bën të ditur se “puna restauruese në Manastirin e Shën Kollit në Mesopotam është në fazat përfundimtare dhe më konkretisht është përqendruar në restaurimin dhe konsolidimin e këmbanares dhe ambienteve rrethuese”.
Falë ndërhyrjes restauruese kanë dalë në dritë të gjithë elementët arkitektonikë, detajet e imëta, që ia shtojnë edhe më tepër misterin. këtij manastiri.
Po ashtu është bërë një punë e jashtëzakonshme për përforcimin e strukturës, riparimin e çatisë dhe zbulimin afreskeve, që koha dhe regjimet i kanë fshehur.
Kisha, më e madhja ndër kishat bizantine të ruajtura në Shqipëri në shek. XI-XIV dhe ndër monumentet arkitekturore me të vjetra, është restauruar duke nxjerrë në pah vlera të jashtëzakonshme historike.
Kisha e Shën Kollit ka ekzistuar në fillim si një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ngritur Kisha. Kjo Kishë mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku./atsh