Partia Socialiste ka hyrë në procesin e garës për zgjedhjen e kryetarëve në 61 bashkitë e vendit, pas miratimit sot në Kryesi të kandidaturave për këto poste partiake.
Kryeministri Edi Rama informoi pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste se, “në mbledhjen e sotme u bë miratimi i kandidaturave për kryetar partie”.
“Siç e dini, prej disa muajsh jemi në proces organizimi, ripërtëritje dhe përgatitje për zgjedhjet e ardhshme. Pasi kemi zgjedhut kryetarët e organizatave, pasi kemi përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kryetarëve edhe gratë, duke vendosur të fillojmë të zbatojmë një normë të re të organizimit ku drejtimi i organizatave i besohet një burri dhe një gruaje, kemi bërë dhe një zgjedhje me parimin ‘1 anëtarë, një votë’ të gjithë anëtarëve të Kongresit, ka ardhur koha që të përmbyllim procesin me kryetarët e partisë”, tha Rama.
Ai tha se “ndërkohë, vazhdojmë procesin e garës dhe zgjedhjen e kryetarëve të partisë në 61 bashkitë e vendit”.
Kryeminstri tha se “kudo procesi po ecën sipas normave të paracaktuara, diku më shpejt, diku më ngadalë, por në përgjithësi mendoj se ky proces na ka dhënë atë që kemi pritur, një energji të re ripërtëritje të dosmosdoshme në një fazë të ndërmjetme”.
Rama tha se “edhe pse zgjedhjet duken larg, ato janë ‘nesër’ praktikisht sepse qershori 2021 është shumë afër”.
I pyetur nëse ka një komunikim me Presidentin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në 3 bashkitë e mbetura pa kryetar, Rama tha se “nuk kemi asnjë komunikim”. “Situata post zgjedhore karakterizohet nga një inerci që lidhet me historinë e dekrete-zhdekreteve, ndaj ne kemi për detyrë të garantojmë vazhdimësi normale të qeverisjes, aty ku ne kemi fituar bashkitë. Kemi dy vakanca. Sa i takon Shkodrës nuk ka një vendim. Shkodra është në situatën më të rëndë nga kjo pikëpamje, se ka një kryetare që është dhe nuk është kryetare dhe ka një vakum në këtë aspekt por kjo nuk është në dorën tonë, thjesht ne presim të marrim një zgjidhje”, tha Rama./atsh