Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka përshëndetur krijimin e SPAK.
“Përshëndes krijimin e SPAK si një zhvillim i rëndësishëm i pritur prej kohësh i Reformës në Drejtësi. Fillimi i aktivitetit të SPAK, është moment shpresëdhënës se në Shqipëri do të nisë seriozisht puna për ndëshkimin e pandëshkueshmërisë dhe për sundimin e ligjit.
Kryemadhi thekson se ngritja e SPAK do të sjellë garantimin e sigurisë juridike dhe barazi para ligjit.
“Ne besojmë që një nga institucionet më të rëndësishme të drejtësisë do të veprojë i pandikuar nga presioni i çfarëdolloj dhe i pandikuar nga politika. Ngritja e Strukturës së Posaçme dhe Byrosë së Hetimit do sjellë një erë të re në garantimin e sigurisë juridike për qytetarët e thjeshtë dhe për barazinë përpara ligjit. Koha e “të fortëve”, kriminelëve me pushtet apo të mbrojtur nga pushteti, ka mbaruar”- tha ajo.
Po ashtu Kryemadhi falënderon partnerët SHBA/BE për mbështetjen.
“Me këtë rast përshëndes dhe angazhimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, për mbështetjen e vazhdueshme për krijimin e kësaj strukture kaq të rëndësishme për drejtësinë në Shqipëri dhe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian”, shprehet ajo./atsh