Loading...

Kontributet vullnetare/ Policia e Shtetit dhuron mbi 104 milionë lekë për banorët e prekur nga tërmeti

Policia e Shtetit ka depozitua në platformën “e-Albania” 104 milionë e 350 mijë lekë për t’i ardhur në ndihmë banorëve të prekur nga tërmeti i datës 26 nëntor.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ardi Veliu, gjatë një konference për mediet, u shpreh se, menjëherë pas rënies së tërmetit, Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000 forca policie.

“Më konkretisht, forcat e policisë u përfshinë në operacionet e kërkim-shpëtimit; dhënien e ndihmës së parë për njerëzit që kishin nevojë; garantimin e rendit dhe sigurisë; disiplinimin e qarkullimit, duke i dhënë përparësi qarkullimit të ambulancave dhe ekipeve të zjarrfikëseve; sigurimin e pronës së qytetarëve dhe ruajtjen e objekteve të dëmtuara, për të mos lejuar futjen e banorëve për shkaqe sigurie”, – tha Veliu.

“Gjej rastin sot që të falënderoj publikisht forcat speciale Renea, FNSH-të e Tiranës, Shkodrës e Fierit, Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë dhe Lezhë për profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të humanizmit duke rrezikuar edhe jetën e tyre, të cilët u përfshinë drejtpërdrejt të parët në operacionet e kërkim-shpëtimit”, – shtoi kreu i Policisë.

Veliu theksoi se falë kësaj ndërhyrje u shpëtuan 39 jetë njerëzish. “Falë ndërhyrjes së tyre, në bashkëpunim edhe me skuadrat e zjarrfikëseve dhe ushtrinë u shpëtuan 39 jetë njerëzish, që kishin mbetur poshtë rrënojave. Më pas, duke bashkëpunuar edhe me grupet speciale të vendeve mike, u bë i mundur edhe shpëtimi i disa personave të tjerë”.

“Strukturat policore të DVP Durrës, Tiranë e Lezhë, mbas përfundimit të fazës së parë të operacioneve të kërkim-shpëtimit e deri tani vijojnë të kryejnë shërbim me orë të zgjatura vetëm e vetëm që të garantojnë rendin e sigurinë, paprekshmërinë e pronës, duke rritur prezencën policore në të gjitha zonat e prekura nga tërmeti”, – tha Veliu.

Kreu i Policisë së Shtetit, tha se institucioni që ai drejton është organizatë ligj-zbatuese, por është humane dhe solidare.

“Punonjësit e Policisë së Shtetit, ashtu sikundër nuk morën parasysh rrezikun për jetën e tyre gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit, po me këtë ndjenjë të lartë humanizmi dhe solidariteti nisën të parët grumbullimin e ndihmave për familjet e prekura nga tërmeti. Me këtë rast, duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të falënderoj një për një, të gjithë punonjësit e Policisë, por edhe familjet e tyre që kontribuuan me vullnet sipas mundësive duke bërë të mundur mbledhjen e shumës 104 milionë e 350 mijë lekë, e cila u depozitua në platformën ‘e-Albania’. Mirëkuptoj edhe 2016 punonjësit e Policisë që nuk kanë kontribuuar me vlera monetare, pasi nuk kanë pasur mundësi”, – nënvizoi Veliu.

Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme me specialistë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.

“Dua të bëj me dije për të gjithë qytetarët, por në veçanti për banorët e prekur nga tërmeti se Policia e Shtetit ka ngritur grupe të posaçme me specialistë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar nga Drejtoria Hetimore Qendrore në Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë dhe në bashkëpunim me Policitë vendore, nën drejtim të Prokurorive përkatëse po fiksojnë, grumbullojnë dhe administrojnë çdo provë që i shërben hetimit për të çuar para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për ndërtesat që u shembën apo kanë pësuar dëmtime serioze (qofshin biznesmenë apo nëpunës të administratës)”, – theksoi Veliu.

Drejtori i Policisë së Shtetit e mbylli fjalën duke bërë dhe një apel për ata që sulmojnë Policinë e Shtetit. “Apeloj për të gjithë ata që duan të bëjnë politikë, apo që përbaltin punën tonë për interesa të caktuara, të tregohen humanë, siç janë punonjësit e Policisë dhe të përcjellin realitetin, pasi Policia e Shtetit i shërben komunitetit dhe askujt tjetër”, – tha Veliu. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com