Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut gjatë mbledhjes së ditës së sotme shqyrtoi dhe miratoi disa projektligje të rëndësishme.
Në cilësinë e komisionit për dhënie mendimi, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2018 për projektin “Programi për infrastrukturën komunale V”.
Pika e fundit e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi në parim i “paketës penitenciare” konkretisht: projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.8331, datë 21.4.1998, “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, të ndryshuar, projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të proves”, projektligji “Për Policinë e Burgjeve” dhe projektligji “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
E ftuar për të bërë prezantimin e kësaj pakete, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha: “projektligjet e kësaj pakete janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe të nevojshëm. Zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit kanë qenë prioritetet e punës sonë dhe kjo paketë është po kaq e rëndësishme. Rritja dhe garantimi i sigurisë në institucionet penitenciare, vlerësimi i infrastrukturës së tyre, të drejtat e të dënuarve që ndodhen në këto institucione, garancia, mbrojtja dhe trajtimi i policisë së burgjeve janë objektivat kryesore të kësaj pakete.”
Pas diskutimeve, Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në parim “paketën penitenciare”./atsh
Loading...