Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, bën të ditur se nuk ndalohet aplikimi i start-up, për sa kohë që përmbushen të gjitha kërkesat dhe kriteret e programit, ndonëse IPARD II adresohen tre masave mbështetëse: investime në fermë; përpunim dhe agroturizëm.
Kjo do të thotë që aplikimi për start-up duhet të orientohet tek një nga tri masat mbështetëse sipas kërkesave dhe kritereve përkatëse që parashtron Programi IPARD II.
Programi IPARD II, financohet nga BE dhe Qeveria Shqiptare me rreth 94 milionë euro në mbështetje të fermerëve dhe agrobizneseve shqiptare. Objektivi i përgjithshëm i këtij programi për Shqipërinë është të mbështesë reformat dhe ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme, për të arritur pajtueshmërinë me ligjin e BE-së në mënyrë që të përgatisë plotësisht vendin për të përmbushur kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të thirrjes së dytë është 57.68 milion euro.
Masa 1: me buxhet total 24.05 milion EURO, me një minimum prej 10,000 EURO dhe maksimum 500,000 EURO. Përqindja e mbështetjes është 60% të totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit, 65% nëse investimi bëhet nga një fermer i ri (nën 40 vjeç), 70% për investimet në zonat malore.
Masa 3: me buxhet total 22.75 milion EURO, me një minimum 25,000 EURO dhe maksimum 2,000,000 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 50% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit.
Masa 7: me buxhet total 10.87 milion EURO, me një minimum 10,000 EURO, maksimumi 400,000 EURO. Përqindja e mbështetjes me fonde publike është 65% e totalit të shpenzimeve të pranueshme të investimit. /atsh