Inxhinierja e ndërtimit prof. dr. Luljeta Bozo duke folur mbi sigurinë e ndërtesave në vendin tonë dhe kërcënimin nga tërmete shkatërrimtarë si ai i 26 nëntorit ka nxjerrë në pah nevojën e studimit gjeologjik dhe sizmik për çdo objekt që në nisje të tij, por edhe supervizionin gjatë zbatimit të rregullave. Duke analizuar në një studio televizive pasojat e këtij tërmeti që la pas 51 viktima dhe plagosi qindra të tjerë inxhinierja Bozo tha se në ndërtesat e shembura ku mbetën njerëz nën rrënoja janë shkelur këto rregulla.
“Sigurisht që çdo tërmet që bie do të bëjë dëme, por jo dëme të asaj natyre që të bëjë kolaps objekti që t’i zërë brenda. Diçka nuk ka shkuar. Janë shumë shkelje që janë bërë gjatë gjithë procesit të ndërtimit,” shprehet ajo.
Sipas saj, nuk mund të bëhet kompromis me sigurinë e objektit e cila duhet të vijë e para edhe nga vetë ndërtuesi.
“Më parë ka funksionuar kështu, të marrësh lejen e ndërtimit dhe të kesh të drejtën të projektosh, duhet të kesh studimin gjeologjik të parin dhe studimin sizmik të dytin. Pa këto nuk mund të fillosh. Nuk mund të kursesh në dëm të sigurisë së objektit që mund të zërë brenda njerëzit,” deklaroi Bozo.
Ajo shtoi se të njëjtën vëmendje duhet të ketë edhe kontrollori i cili ndjek gjithë ecurinë e zbatimit të rregullave të ndërtimit si dhe materialeve që përdoren.
“Projekti duhet të kontrollohet. Duhet të ketë një instancë që kontrollon projektin dhe projekti duhet të jetë i plotë, jo me copa letrash. Duhet ndjekur rregulli që në çdo hap të zbatimit të kontrollohet cilësia e materialit dhe mënyra se si është zbatuar projekti. Këtë e bën supervizori. Por kush e ka supervizorin? Atë mund ta ketë investitori. Atij i intereson. Ai që nuk është serioz, ta kalojë shpejt e shpejt që të mbarojë objektin. Heq hekura, shkel në cilësinë e betonit. Këtu nuk janë zbatuar rregullat teknike, asnjë rregull teknik”, u shpreh inxhinierja. /atsh