Inxhinierja e ndërtimit prof. dr. Luljeta Bozo duke folur mbi sigurinë e ndërtesave në vendin tonë pas tërmetit të 26 nëntorit kërkoi që të ndryshohet mënyra sesi ndërtohet në Shqipëri.
Gjatë një emisioni televiziv, Bozo tha se ndërtimi i banesave duhet bërë duke u nisur nga respektimi i të gjitha hallkave që nuk janë respektuar dhe sollën tragjedinë e 26 nëntorit.
Gjithashtu Bozo i bëri një apel edhe qytetarëve ku kërkoi të fshijnë aplikacionin për tërmetet nga telefoni dhe të mbledhin mendjen për të mos i zënë paniku.
“Kam një apel njerëzit ta mbledhin mendjen të mos i zërë paniku sepse sipas të gjithave gjasave e madhja kaloi pasgoditje do ketë derisa të çlirohet energjia nga brendësia e tokës. Ta marrim me qetësi. Mos shikoni shumë aplikacionin që është vënë. Sapo shikoni 3.1 ose 2.7 thoni obobo. Çfarë është 3.1 asgjë. Nuk është gjë fare 3.1 apo 3.5 ne ndërtuesit se quajmë gjë fare. Nuk e ndjejnë fare që kanë rënë”, u shpreh Bozo.
Bozo u shpreh se mbas këtyre bisedave për tërmetin dhe pasojat e tij shpresojë që të ndryshoj mënyra e ndërtimit në Shqipëri.
“Kam një merak të madhe që ne që i kemi shprehur mendimet tona shpresojmë që diçka të ndryshojë, ose të ndryshojë shumë në mënyrën sesi ndërtohet në Shqipëri duke nisur që nga të gjitha hallkat që duhet të respektohen që nuk janë respektuar. Kjo është pasojë e kësaj pune. Duhet që specialistët më të mirë të bëjnë një draft t’ia çojnë qeverisë. Por duhet riorganizim tjetër sepse nuk funksionon kështu”, përfundoi Bozo. /atsh