Loading...

Humbi gruan në rrënojat e tërmetit, Rama viziton familjen e Fatmir Gjanës: Zjarrfikësi nga Vlora punë të jashtëzakonshme

Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot familjen e Fatmir Gjanës në Durrës, të cilin e ngushëlloi për humbjen e gruas, Xhuljeta Gjanës, 60 vjeçe.

Edhe vetë Fatmiri qëndroi plot 24 orë nën rrënoja, por fati e deshi që të dilte i gjallë prej aty, ndërsa bashkëshortja e tij nuk ia doli dot.

“Ky është një hall që nuk zgjidhet, ta merr Zoti, nuk ke çfarë të bësh, por çarjen e hallit e kemi jo vetëm detyrë, por edhe lehtësim”, tha Rama.

“Na e lehtësuat, ajo ishte një fatkeqësi natyrore, unë mbijetova, ajo iku”, u shpreh z. Gjana, i cili theksoi se ndërtesa ishte bërë në vitin 1989.

Fatmiri tregoi se si arriti të nxirrej prej aty i gjallë, ku heroi i tij ishte zjarrfikësi vlonjat, Luan Kapaj, si dhe bisedën që zhvilloi me këtë të fundit, teksa ishte i rrethuar nga rrënojat.

“Një falënderim të madh për atë që më nxori, ishte e jashtëzakonshme, e kam marrë në telefon”, tha Gjana.

“Luani la pa fjalë edhe të huajt. Unë e ndoqa vetë një operacion te “Palma”, o Zot çfarë ankthi ishte ajo punë, u futën ata, u futën, por një lëvizje e gabuar … Ishte një hapësirë e vogël, futeshin trupat. Për fat të mirë ai djali kishte një zgavër aty. Të gjithë përflisnin Luanin. Ata të huajt thoshin “s’ka”. Ai e kapërceu shkencën, edhe italiani më tha “atë që bëri ai, është jashtë çdo lloji teknik. Aty ishte bast”, u shpreh Rama.

“I thashë ‘kujdes veten, se unë jam këtu’. Arriti të më hap një vrimë për ajër, unë s’e dija, por e kisha gjithë pallatin sipër meje. Isha i shtrirë, vetëm duart lëvizja dhe pak hapësirë për ajër. Kur erdhi aty i thashë “më hap vetëm një vrimë”. Nuk e di me çfarë e hapte, me thonj. Pastaj më tha “e sheh dritën?”. Unë i thashë “mos gërmo më”. Pastaj i thashë “do më nxjerrësh dot apo jo”. Nuk po fliste, ra tërmeti tjetër, ikën, mendova se nuk do të vinin më. Pastaj erdhi sërish, më kërkoi të rrotulloja pak kokën, por e kisha të pamundur. Më vonë, më liroi pak dhe më tha “më jep dorën, qenke me fat”. Ia dhashë dorën, më tërhoqi zvarrë dhe më nxori”, theksoi Gjana.

“Ne ishim në krevat kur ra tërmeti, sa u ngrita unë, arrita deri te dera e dhomës dhe e pashë veten që mezi merrja frymë. Kurse gruaja ime u nis drejt e te dera e jashtme, aty pastaj mbaroi çdo gjë. Unë nuk dija asgjë, kur dola pyeta Luanin, por më tha që është nxjerrë një grua. Mua më kapi m’u te kuadrati i derës, kurse ajo doli”, tha z. Gjana.

Gjatë vizitës në familjen Gjana kryeministrit i ra në sy vathi që mbante djali i shtëpisë dhe patën edhe disa batuta mes tyre.

“Unë e hoqa vathin kur më vdiq babai. Isha në Paris, kisha shumë marrëdhënie të afërt. Duhet të nisesha të nesërmen se s’kishte avion. Kam ndenjur nga stresi disa orë kam hequr mjekrën, hoqa vathin dhe u bëra kështu si ai, normal pastaj, se atëherë quhesha jo normal dhe erdha për tek varrimi. Dhe po atë ditë u bëra ministër dhe ishte koincidencë e paparë. Atëherë e hoqa vathin”, tha Rama.

Djali i familjes Gjana u shpreh se, “S’më ka thënë ndonjëherë plaka gjë për vathin, çdo gjë që më pëlqente, ok thoshte, vetëm bëji me mend”

“Hajde se do vijë dita, nuk është puna e të tjerëve çfarë vesh e çfarë mban ti, është puna jote se mua më thonë pse me atë xhup, hiq xhupin se je bërë si prift”, tha Rama.

Në fund kryeministri u shpreh se, “ne jemi në dispozicion për çdo gjë që të keni. E kemi për detyrë, por është edhe një nevojë e brendshme për të lehtësuar sa më shumë”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com