Dita Botërore e Personave me Aftësi të Kufizuar (PAK) është përcjellë sot në Fier më ndryshe se çdo vit tjetër. Marshimit sensibilizues dhe mesazheve të ndjera të fëmijëve me aftësi të kufizuar i është bashkuar edhe një homazh për të gjithë ata persona që humbën jetën nga tërmeti i 26 nëntorit.
Në këtë organizim ka qenë prezent edhe këngëtari i mirënjohur Rigels Rajku (Noizy), i cili jo vetëm iu bashkua këtij marshimi sensibilizues të qendrës “Horizont”, por edhe është shprehur i gatshëm të kontribuojë në çdo kohë për të ndikuar sadopak në cilësinë e jetës së Personave me AK (referuar fëmiljëve të qendrës “Horizont”).
Këngëtari ka zhvilluar një takim miqësor me kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi, ku dhe është vlerësuar me Çertifikatë Mirënjohjeje për: “Humanizmin, sensibilitetin, kontributin dhe mbështetjen e dhënë për fëmijët me aftësi të kufizuara të qendrës Horizont”.
Ky takim u pasua me një marshim masiv përgjatë shëtitores “Muharrem Agolli”, ku morën pjesë dhe qytetarë të shumtë, për t’u finalizuar me një homazh për jetët e humbura nga tërmeti i pak ditëve më parë.
Qëllimi i kësaj dite është promovimi i të drejtave, mirëqenies, si dhe rritja e ndërgjegjësimit lidhur me situatën e personave me aftësi të kufizuar në të gjitha sferat e shoqërisë dhe aspektet e zhvillimit të jetës politike, sociale, ekonomike dhe kulturore. /atsh