Drejtoria e Përgjithshme Detare i bëri apel sot subjekteve që operojnë në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve në porte, pasi në datat 20-23 dhjetor moti do të përkeqësohet.
“Bregdeti ynë do të përfshihet nga era me drejtim jug me shpejtësi deri në 38 nyje dhe forca e detit do të jetë 7 shkalla bufort. Moti i përkeqësuar do të shtrihet në gjithë bregdetin tonë”, bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme Detare.
Pritet që deri në mesnatën e ditës së dielë era dhe deti të kenë të njëjtin intensitet duke përfshirë gjithë bregdetin shqiptar.
“Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese”, shprehet Drejtoria e Përgjithshme Detare. /atsh