“Mjaft me vetëvlerësime për një luftë të ndyrë që bëri një regjim i vjetër i përgjakshëm në Beograd! Ecni përpara!”, tha Kryeministri Edi Rama, pas deklaratës së djeshme të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili e quajti masakrën e Reçakut një krim të fabrikuar.
Kryeministri Rama tha se ajo që na takon të bëjmë është të ndërtojmë paqe dhe prosperitet për të gjithë fëmijët tanë dhe ta shndërrojmë rajonin tonë në një model.
“Miq kudo që jeni! Mjaft me vetëvlerësime për një luftë të ndyrë që bëri një regjim i vjetër i përgjakshëm në Beograd! Ecni përpara. Lërini të vdekurit të varrosin të vdekurit” dhe le të bëjmë atë që të gjithëve na takon të bëjmë: të ndërtojmë paqe dhe prosperitet për të gjithë fëmijët tanë dhe ta shndërrojmë rajonin tonë në një model”, tha Kryeministri Rama
20 vjet më parë, mëngjesin e 15 janarit, forcat serbe të sigurimit vranë 45 civilë shqiptarë në Reçak në Komunën e Shtimes, Kosovë, masakër e cila tronditi botën dhe bëri kthesë në diplomacinë ndërkombëtare.
Kjo ngjarje bëri që bota të kthejë sytë nga Kosova, dhe i parapriu fushatës së bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe. /atsh