Loading...

“Durrësi qyteti më i bukur dhe nuk e lëmë”, qytetarët dhe bizneset i kthehen normalitetit

Qyteti i Durrësit është zgjuar sot plot diell dhe gjallëri.

Njerëzit në qytet i janë kthyer përditshmërisë së tyre ku dyqanet janë të hapura, kafenetë janë të mbushura dhe fëmijët të shoqëruar nga prindërit po shijojnë shëtitjet dhe diellin në shëtitoren e qytetit.

Gjatë një vëzhgimi të Agjencisë Telegrafike Shqiptare sot në Durrës banorët dukeshin më të qetë dhe i ishin kthyer aktivitetit të tyre normal duke u rikthyer në punë, duke bërë pazaret dhe konsumuar kafe me njëri-tjetrin.

Qytetarët shpreheshin se tashmë situata është më e qetë dhe ata janë rikthyer në banesat e tyre të cilat sipas tyre janë verifikuar dhe nga specialistët dhe nuk përbëjnë rrezik për ta.

Ata gjithashtu shprehen se tashmë e kanë kaluar atë situatë të vështirë dhe shpresojnë që mos të përsëritet më.

Një qytetare shprehet për ATSH-në se, “ndihem shumë e lumtur që qyteti është mbushur sërish nga njerëzit. Nuk e lëmë dot Durrësin, pasi është qyteti më i bukur”.

Teksa largohesh nga qyteti bregdetar rrezet e diellit dhe buzëqeshja në fytyrën e njerëzve të fton të rikthehesh në qytetin që tashmë po ringrihet dhe shkëlqen sërish e ku jeta vazhdon po me të njëjtin ritëm e vitalitet. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com