Shengeni Ballkani do të përkthehet në rritje ekonomike deri në 7%. Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal Majlinda Bregu shprehet e bindur gjatë një interviste televizive se, në rast se ecuria do të jetë e ngjashme me atë të Bashkimit Europian, GDP e vendeve tona do ketë rritje deri në 7%.
“Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal mbështet nismat që kontribuojnë drejt një axhende për krijimin e një tregu të përbashkët për rajonin tonë”, u shpreh Bregu, e cila shtoi se këto nisma duhet të zhvillohen në nivel gjithëpërfshirës, sepse sipas saj, është e pamundur t’i mbijetosh sfidave, kur Ballkani sot nuk dallohet për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
“Ne nuk kemi detyrë tjetër vetëm të nxisim dhe të mbështesim ide të cilat çojnë përpara bashkëpunimin rajonal. Ky është mandati që kemi. Çdo bashkëpunim dhe çuarja përpara e marrëdhënieve të mira, përmirësimi i nivelit të tregtisë rajonale apo dhe projekte të tjera rajonale të bëhen në nivel gjithëpërfshirës. Është e pamundur t’i mbijetosh sfidave në një kohë kur Ballkani sot nuk dallohet për nivel ekonomik të qëndrueshëm për të përballuar sfidat globale. ‘’- tha Bregu.
Sipas Majlinda Bregut, ky bashkëpunim rajonal, i ashtuquajtur Minishengen Ballkanik do të përkthehet në rritje ekonomike për këto vende, dhe konkretisht sipas saj parashikohet një rritje prej 7% të GDP. Takimi i kësaj të shtune i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ishte i treti pas atij në Novi Sad të Serbisë dhe Ohër të Maqedonisë.
“Të gjitha vendet e Ballkanit kanë mbi 70% të shkëmbimeve tregtare me BE. Por ka vetëm rritje të GDP 1.3%. Në rast se ne kemi ecurinë si të BE dhe vendeve tona GDP rritjet me 7%. Europa nuk lindi se ishte në ADN-në e qytetarëve që sot jetojnë në Europë por lindi nga nevoja për të bashkëpunuar, për të qenë më të fortë, për një treg të përbashkët dhe për të përballuar sfidat globale’’- shtoi Bregu. /atsh