Loading...

Basha: Shengeni Ballkanik, rrezik i heqjes dorë nga anëtarësimi me të drejta të plota në BE

Kryetari i PD, Basha e konsideroi Shengenin Ballkanik, si rrezik i heqjes dorë nga anëtarësimi me të drejta të plota në BE.

“Kjo nismë mund të bëhet pjesë e një skenari të “anëtarësimit minus” për vendet e Ballkanit Perëndimor, shpreh bindjen e thellë se Shqipëria nuk meriton të penalizohet për dështimet, abuzimet dhe paaftësitë e kësaj qeverie që kanë çuar në errësimin e perspektivës europiane për shqiptarët. Ne besojmë se Shqipëria nuk duhet të pranojë një ofertë alternative degraduese të integrimit por duhet të vazhdojë të synojë që të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian”, shprehet ai.

Kryetari i PD-së Basha deklaroi se nuk mund të ketë fqinjësi të mirë duke përjashtuar Kosovën.

“Por ne gjykojmë se fqinjësia e mirë në Ballkanin Perëndimor kurrsesi nuk mund të arrihet duke përjashtuar Republikën e Kosovës. Prandaj e konsideroj të papranueshëm mos konsultimin e qeverisë shqiptare me Kosovën për këtë iniciativë dhe bërjen pjesë të saj pa e kushtëzuar paraprakisht pjesëmarrjen e Shqipërisë me praninë e Kosovës. Këto qëndrime bien ndesh me parimet e partneritetit strategjik për të cilat qeveria e Shqipërisë është zotuar disa herë gjatë mbledhjeve me qeverinë e Kosovës. Ato shkelin hapur marrëveshjen dy shtetërore për unifikimin dhe koordinimin e politikës së jashtme të dy vendeve tona”, shprehet ai.

Basha shtoi se “samiti i minishengenit ndodhi në Durrës vetëm pak ditë pasi Serbia mohoi masakrën e Reçakut”.

“Theksoj se i ashtuquajturi samiti i minishengenit ndodhi në Durrës vetëm pak ditë pasi Serbia mohoi masakrën e Reçakut, në vijim të përpjekjeve për të revizionuar historinë e krimit të saj shtetëror. Kjo fyerje për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar do duhej të ishte mjaftueshëm argument për të mos ta mbajtur atë aktivitet deri në kërkesën e ndjesës nga Serbia”, shprehet ai.

Po ashtu, Basha shtoi se nisma e minishengenit Ballkanik u propozua pas refuzimit të hapjes së negociatave në BE

“Po kaq shqetësues është fakti se kjo nismë u propozua pas refuzimit të BE për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, sepse lë përshtypjen e krijimit të një blloku të ri ekonomik dhe politik si alternativë apo sfidë ndaj Bashkimit Europian”, shprehet ai. /atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com