Loading...

Basha: Mungon akti zyrtar për sigurinë e banesave, në burg kush luan me jetët e qytetarëve

“Mungesa e seriozitetit për vlerësimin e sigurisë së banesave të dëmtuara pas tërmetit është kthyer në një nga shqetësimet kryesore në javën e tretë pas tërmetit”, deklaroi sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Sipas Bashës, “disa banorë në Qerret të Katundit të Ri i treguan rastin e një akt-ekspertimi të një shtëpie të verifikuar tre herë me rezultate të ndryshme”.

“Për të shmangur marrjen e bonusit të qirasë, herën e tretë shtëpia ishte nxjerrë e banueshme, megjithëse pamjet tregojnë se mbahet në këmbë nga një shufër hekuri vertikale, e vendosur në kulmin e saj. I zoti i shtëpisë shprehu shqetësimin për sigurinë e jetës, pasi akt ekspertimi nuk kishte lidhje me gjendjen e vërtetë të shtëpisë së tij”, tha Basha.

Kreu i PD-së tha se “edhe në një shtëpi tjetër ka ndodhur një fenomen i ngjashëm”. “Për të mos u dhënë banorëve me shtëpi të dëmtuar rëndë bonusin e qirasë, shtëpia është shpallur e banueshme, pasi ishte verifikuar e pabanueshme më 21 Shtator dhe 26 Nëntor. Banorët ngritën shqetësimin se nuk u është dhënë asnjë akt ekspertimi zyrtar që verifikon gjendjen e sigurisë së shtëpisë, gjë që për kreun e opozitës përbën një akt të papranueshëm dhe të dënueshëm penalisht”, tha ai.

Basha iu drejtua banorit duke i thënë se “më e rënda nga të gjitha është se në këtë gjendje ku është kjo shtëpi ju thonë të futeni brenda, por letrën nuk jua japin”.

“Me një lëkundje kjo bie dhe ju zë brenda, siç ndodhi në Thumanë. Përfaqësuesit e bashkisë apo qeverisë nuk jua japin as me letër dhe thonë se u futën vetë brenda. Kjo është kriminale. Kjo është t’i vrasësh banorët. Ata që i kanë shpëtuar tërmetit t’i vrasë shteti. Kjo është! Gjëja e parë, ju në asnjë mënyrë nuk do të futeni brenda pa marrë një letër nga shteti. Dhe po morët letër nga shteti, do të vijnë ta vërtetojnë me specialistë, jo me nëpunës. Të vijë inxhinieri dhe ta firmosë. Sepse nuk ka inxhinier ta firmosë shtëpinë në këtë gjendje. Inxhinieri që firmos se kjo është e banueshme, shkon në burg. Dhe njerëzit që ju thonë futuni se është e banueshme, pa firmë, edhe ata do të shkojnë në burg. Edhe ata që ju thonë dhe i mësojnë që t’u thonë banorëve futuni në banesa të shkatërruara, edhe ata duhet të shkojnë në burg, nga i pari tek i fundit”, u shpreh kreu i opozitës, /.atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com