Loading...

Basha: Media në situatë dramatike, do të zhbëjmë sapo të vijmë në pushtet ligjin që censuron fjalën e lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se “situata me të cilën media po ballafaqohet është një ofensive kundër lirisë së shprehjes”.

Në tryezën për lirinë e medies, Basha tha se “pa lirine e medies nuk ka liri politike”. “Këtu jemi si partnerë në një interes, në interesin e informimit të qytetarëve. Mosinformimi dhe keqinformimi është objektiv i qeverisë dhe Ramës, arrestimeve, presioneve financiare duke ngushtuar informimin. Kjo është një vijë e kuqe e papranueshme për ne Partinë Demokratike dhe opozitën e bashkuar. Kjo është një luftë e shpallur kundër lirisë së medies. Qeveria po propozon një ligj për të instaluar censurën”, tha Basha.

Objektivi ynë, tha ai, “është t’i japim vendit një kuadër ligjor për t’i mbyllur derën tranzicionit ndaj medies dhe për ta zhvendosur në standarde europiane, ne praktika të autonomisë dhe lirisë së shprehjes”.

“Nëse çmenduria çohet deri në fund në parlamentin e cunguar, opozita nuk do ta njohë dhe sapo të ketë mundësinë e qeverisjes për ta zhbërë këtë legjislacion bashkë me shoqatat e gazetarëve të pezullojmë çdo masë të tillë arbitare”, tha Basha.

Sipas tij, “shteti nis kryesinë e OSBE me një sjellje rrugaçërore dhe kriminale, kundër lirisë së medies”.

“Mirënjohje për institucionet ndërkombëtare që i janë përgjigjur shqetësimit tuaj si gazetarë dhe thirrje për të gjithë për t’u bashkuar në këtë kauzë që është e medias dhe gazetarëve dhe medias por mbi të gjitha e qytetarëve. Ne na bashkon interesi publik”, tha Basha.

Basha bëri po ashtu një “Mea Culpa” në emër të PD-së për gjithçka në këto 30 vite. “Jam i gatshëm të bëj një zotim solemn për anulimin e këtij akti apo çdo akti tjetër që cenon standardet europiane në shprehjes së lirë. Zotimi im është dhënia fund e çdo praktike që ka për qëllim korruptimin e medies në transmetimin e mesazhit me kaseta, bllokim të gazetareve, listë e zezë e cila nuk ekziston”, tha Basha.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh se “jemi në krah të gazetarëve”. “Të mbyllësh gojën e gazetarëve është shkelje e të drejtave të njeriut. Duhet solidaritet me njëri-tjetrin. Kemi të njëjtën situatë si në 1945 ku nisën spastrimin e intelektualëve”, tha ajo.

Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu u shpreh se “duhet një rezolutë e përbashkët për sa i përket kundërshtimit të censurës ndaj lirisë së medias”.

“Duhet të ketë një rezolutë të përbashkët bazuar në pikat e propozuara nga Basha. Mendoj se e kemi mundësinë për takime me ndërkombëtarë të cilët analizojnë çështjen. Shqipëria merr presidencen e OSBE-së dhe vendi po ballafaqohet me një ligj censure të mendimit dhe fjalës së lirë. Duhet nje rezolutë e përbashkët”, tha Mediu./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com