Loading...

Balluku: Shqiptarët të bashkohen për të rindërtuar shpirtin e Shqipërisë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se shteti reagoi në mënyrë ekselente duke marrë nën kontroll situatën menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, ndërsa ftoi shqiptarët të bashkohen për të rindërtuar shpirtin e Shqipërisë.

“Tërmeti i 26 nëntorit është ngjarja më e rëndë që ka përjetuar vendi ynë në dekadat e fundit. Që në momentet e para pas ngjarjes, të gjitha strukturat e shtetit ishin në gatishmëri të plotë, duke ju dhënë ndihmën e parë personave të dëmtuar dhe duke nxjerrë nga rrënojat shumë qytetarë. Por tashmë ka ardhur koha që dhimbjen ta kthejmë në forcë dhe motiv. Të bëhemi të gjithë bashkë, për t’u ringritur, edhe më të fortë se më parë”, deklaroi Balluku në Kuvend.

Ministrja falenderoi të gjitha ekipet e kërkim-shpëtimit që na u bashkuan në këtë situatë dhe u solidarizuan, por tha ajo, forcat shqiptare ishin të parat që kishin shpëtuar shumë jetë derisa erdhën forcat e huaja.

“Kemi gjetur tek pallati i rrëzuar, Dritan Lelin me dy zjarrfikëse. Njerëzit e pare nga rrënojat i kanë nxjerrë zjarrfikësit shqiptarë. Luani nga Vlora që kishte ardhur me kreun e bashkisë së Vlorës, Dritan Lelin. Pavarësisht se shpesh asfiksohej gjatë përpjekjeve për të nxjerrë sa më shumë të mbijetuar nga rrënojat, ai nuk pranonte të merrte oksigjen, sepse ende dëgjoheshin zëra, ende kishte shpresë për të mbijetuar”, tha Balluku.

Më tej ajo shtoi se opozita duhet të ketë fytyrën e Edlira Hyseni, deputetes së opozitës në Durrës, e cila mbajti një fjalim prekës në Kuvend.

Në përgjigje të akuzave të opozitës për ndërtimet pa leje, ministrja Balluku vuri në dukje se në zonën e ish Kënetës, në Durrës nuk ka sot asnjë ndërtim pa leje pas 2013, kohë kur kjo mazhorancë erdhi në pushtet.

Folët për ndërtimet e pakontrolluara, vijoi Balluku, por Edi Rama mban me nder sot një veprim të jashtëzakonshëm që ka miratuar në 2013, që ka të bëjë me ndalimin e ndërtimeve pa leje, kohë kur opozita ulëriste e thoshte si nuk lejohen të ndërtohen me gjakun dhe sakrificën e qytetarëve këto ndërtime dhe pse kërkohen leje e akte administrative.

“Kjo qeveri e Edi Rama mund të deklarojnë sot me nder se pas vitit 2013 nuk ka asnjë ndërtim pa leje në zonën e ish Kënetës, në Durrës.Ato ndërtesa që u rrafshuan e shuajtën familje para syve tanë janë ndërtuar pa leje por jo pas 2013”, deklaroi Balluku.

Opozita është aty për të kontrolluar qeverinë, theksoi Balluku, por edhe për të bërë dialog, ndaj duhet të ketë fytyrën e Edlirës.

“Është shumë e lehtë që secili prej jush të dalë dhe të thotë se çfarë u bë gabim, por nuk e di si është të dalësh përpara familje së Ramë Lalës, i vetmi i mbijetuar nga familja Lala, si për të treguar se jeta dominon mbi vdekjen”, vuri në dukje Balluku.

Sot, tha Balluku, po ngrihen shtëpitë në Floq, po mbarohen shtëpitë e goditura nga tërmeti i Shtatorit. Sipas saj, programi që kemi për të ndërruar banesat e reja është i shkëlqyer, pavarësisht se dhimbja nuk kalohet.

Balluku siguroi se asnjë ndërtesë nuk do të hidhet pa u marrë kampionet e saj dhe të çohen në laboratorin e Institutit të Ndërtimit për të çuar para drejtësisë të gjitha atë që kanë shkelur ligjet, rregullat dhe standardet./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com