“Cagli vallëzon për Shqipërinë” titullohej shfaqja e organizuar mbrëmjen e djeshme në teatrin komunal të Cagli, Itali, me pjesëmarrjen e balerinëve italianë dhe atyre të njohur shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj, në mbështetje të zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri.
Në këtë shfaqje të organizuar nga Bernard Shehu merrnin pjesë balerinët Kledi Kadiu, Anbeta Toromani, si edhe balerinët e tjerë italianë si Alessandro Macario, Giorgia D’Emidio Irene Calagreti, Alessandro, Sara Porfini, Giuliano Santi, Marco Zingaretti, si dhe grupet e baletit Movimento e Fantasia, Nuovo Balleto Classico.
“Ndërsa jetojmë në këtë anë të Adriatikut, ne kemi shpirt dhe mendje të ndarë midis dy brigjeve. Siç ndodh për shumë prej nesh, zemra ime rreh edhe për Shqipërinë, vendin ku kam lindur, ku jam rritur, ku u edukova dhe u bëra njeriu dhe balerini i respektuar që jam sot. Ndiej dhimbje të madhe për dramën që po përjeton populli ynë për shkak të tërmetit katastrofik. Nuk është e thjeshtë të përshkruash këtë ndjenjë ngacmuese me fjalë “, është shprehur për mediet balerini Bernard Shehu.
Shehu tha se “më shumë sesa një shfaqje artistike, kjo e jona është një manifest i dashurisë dhe solidaritetit me vendin dhe popullin tonë”./atsh