Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi, ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me presidentin e Agjencisë Saudite të Shtypit (SPA) Abdullah bin Fahd Al-Hussein për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e lajmeve midis të dy agjencive.
Nënshkrimi i memorandumit u krye gjatë një takimi të zhvilluar në selinë e SPA-së në Riad, midis Al-Hussein dhe drejtoreshës së përgjithshme të ATSH-së. Në takim merrte pjesë edhe zv.presidenti i SPA-së Ahmed bin Ibrahim Al-Awadh.
Gjatë takimit, Krasniqi e informoi presidentin e Agjencisë Saudite të Shtypit për pasojat e tërmetit në Shqipëri dhe për ndihmën e çmuar të komunitetit ndërkombëtar. Ajo theksoi rolin e marrëveshjeve të tilla, të cilat i cilësoi si dritare të rëndësishme për informimin e opinionit publik të vendeve respektive.
Krasniqi vizitoi Ministrinë saudite të Medias, ku u njoh me teknologjitë e reja që përdoren në këtë sektor.
Presidenti i Agjencisë Saudite të Shtypit (SPA), Abdullah bin Fahd Al-Hussein bëri një përmbledhje të punës që zhvillon institucioni që ai drejton, duke u përqendruar sidomos tek media sociale, e cila sipas tij, përbën një instrument të ri për të qenë më pranë opinionit publik.
Pas takimit, drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi e shoqëruar nga Al-Hussein, vizitoi departamentet e SPA-së, duke përfshirë redaksinë e gazetarëve, e-median, departamentin e fotografisë, qendrën e prodhimeve multimediale, si dhe u informua për strukturën e punës.
Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi e ftoi homologun saudit për një vizitë pune në Shqipëri.
Kjo marrëveshje me SPA është e treta e nënshkruar nga ATSH, pas asaj me agjencinë polake të lajmeve, PAP në janar dhe me agjencinë rumune të lajmeve, Agerpress në muajin nëntor të këtij viti./atsh