“Në 9 dhjetorin ndërkombëtar të Antikorrupsionit, Ministria e Drejtësisë vijon të udhëheqë me përgjegjshmëri të plotë të gjitha detyrimet e saj në luftën kundër praktikave korruptive. Me të tillë rikujtesë ndërkombëtare, kaq pranë sprovave tona kombëtare, rikujtojmë sesi të luftuarit e korrupsionit është detyra më e lartë patriotike e çdonjërit prej nesh”, shprehet zv.ministrja e Drejtësisë Fjoralba Caka.
Ajo nënvizon se “nuk ka kthim pas në luftën e pakushtëzuar që kemi nisur kundër korrupsionit prej ndryshimeve kushtetuese të 2016 në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor”
Duke u ndalur në shifra, Cakaj shprehet se “vetëm në 3- tremujorë të vitit, ne mund të krenohemi me: rritje në 598 të numrit të shërbimeve administrative të ofruara elektronikisht për qytetarët, duke luftuar kështu “korrupsionin e vogël” që zë fill në sportelet e shërbimit; 951 vepra penale korruptive të identifikuara nga strukturat antikorrupsion në vend; 1391 subjekte të hetuara, nga të cilat 126 persona të dënuar nga Gjykatat e Shkallës së parë dhe 162 të dënuar nga Gjykatat e Apelit për veprën penale të korrupsionit; 13 institucione shtetërore të inspektuara plotësisht dhe 13 struktura të tjera shtetërore në proces inspektimi nga Task Forca Antikorrupsion, shumë punë na pret ende për çrrënjosjen e kulturës së “favoreve” dhe “njohjeve” për të fituar shërbimin e takuar dhe të drejtën e merituar”.
“Megjithatë, çmimi që do na duhet të paguajmë për të ndërtuar shtylla të shëndetshme në qeverisje, administratë dhe drejtësi-dhënie, ia vlen për të ruajtur fort deri në fund dinjitetin tonë drejt hapjes së dyerve ku na pret familja jonë evropiane”, shprehet më tej zv.ministrja.
Cakaj falënderon “ BE, Këshillin e Europës, GRECO-n dhe miqtë tanë të palodhur ndërkombëtarë për shembujt vetjakë drejt Shqipërisë së transparencës, integritetit e shtetit të së drejtës dhe pakorrupsion”. /atsh